Dunga si europian: Rregulla dhe “show”

10/06/2010 11:00

Brenda bluzes së mrekullueshme me numrin 10 të Seleçaos janë 190 milionë zemra të çmendura dhe 8 shishe plastike. Një kuti gjigante shpirtrash, me ngjyrat verdhejeshile, është flamuri i Brazilit, është lëkura e Kakasë dhe është një përgjigje për ndotjen globale, sepse për ta fabrikuar është përdorur riciklimi i plastikës.

Por është mbi të gjitha shenja e kampionëve të nderit në glob, të kujdestarëve të bukurisë, të shkrimtarëve legjendarë të historisë. Dhe për ta shkruar ndonjëherë, mjafton një fjalë dyrrokëshe, mundësisht me theks: Pelè, Vavà, Didì, Kakà.

“Ne jemi favoritët për faktin e vetëm se ekzistojmë”, proklamon portieri Xhulio Sesar, të cilit, dikur një shakaxhi i ka thënë: “Hej, Xhulio, a nuk të duket se Spanja i ngjan Brazilit të 1970?”. Dhe ai, me pamjen e mermerizuar nga habia, por më shumë nga ofendimi i thotë: “Është një shaka, vërtet?”.

Brazili ka detyrën të jetë madhështor dhe këtë herë dëshiron ta arrijë, duke përdorur këmbët dhe duart. “Jemi brazilianë, por jemi edhe europianë”, konfirmon Karlos Kaetano Bledorn Verri, që ka nofkën Dunga, “këlyshi”, ashtu siç e ka pagëzuar i ndjeri Romeo Ankonetani, kur e shkoi dhe e zbuloi për Pizën e tij. Një këlysh që në ’94 mori Kupën e Botës, duke ia rrëmbyer nga duart budistit Roberto Baxho. Një jetë si mesfushor etj., etj. “Në një skuadër, ekuilibri mbrojtës është gati gjithçka”. Kjo është një e vërtetë absolute, por kur e hedh si teori trajneri i Brazilit, 190 milionë zemra i kap aritmia emotive. Pra harrojeni futbollin e vallëzimit me topin dhe fintet. Me bllokun difensiv të Interit (Xhulio Sesar, Maikon e Lusio) dhe një mesfushë e blinduar (përfshi dhe Felipe Melon), pa Pato, Ronaldinjon dhe Adrianon, por me Luis Fabianon e Robinjon në sulm dhe mbi të gjitha me 10-n e shenjtë Kaka, Brazili dëshiron të jetë hekur më shumë se sa platin. Për të pasur sukses, mbeten në shtëpi edhe veset e artistit, driblimet e pafundme: darkë në 19 dhe të gjithë në gjumë në orën 23, me Dungën që kontrollon të gjitha dhomat, si Trapatoni te Juve, duke hapur edhe derën nëse është e nevojshme.

Në 2006, në Gjermani, shpesh futbollistët ktheheshin në hotel duke bërë zigzage dhe ishte efekti i alkoolit, jo ai i driblimeve. Në fakt, Zizou e hëngri me një kafshatë, para se ta pësonte nga provokatori Materaci. “Unë, pa dyshim, i mbështes të gjithë futbollistët tanë!”, betohet presidenti Lula, që edhe këtë herë, pas Botërorit, do të përballet me zgjedhjet. Por ky ekspozim është një rrezik, ngaqë jo pak komentatorë tashmë e quajnë Dungën “gomar”, nofka identike që iu vu Karlos Alberto Parreiras. Edhe Felipe Skolarin, xhaxhain mitik Filipone, e quajtën gomar para se të fitonte Botërorin 2002, dhe gjithnjë për të njëjtin motiv: shumë mbrojtje, pak bukuri. Ndeshja e fundit e Seleçaos ndaj Tanzanisë (5-1), ka ngushëlluar 190 milionë zemra, edhe sepse Kaka ka luajtur 90 minuta dhe madje ka shënuar një gol me gjoks. “Unë jam mirë, vetëm se ndihem paksa i frenuar”, rrëfen ylli i Realit të Madridit, i cili në “grupin e ferrit” do të përballet me shokun e skuadrës Kristiano Ronaldon, me misteriozët koreanoveriorë dhe me Bregun e Fildishtë. “Ne jemi më të fortë, dhe unë lutem, që askush të mos dëmtohet”, është deklarata mistike e Luçios. Brazilianëve ua lehtëson disi punën mungesa e Nanit te portugezët.

Top Channel