Pëllumbi: Nano-Berisha, pakt të fshehtë në Trieste

03/06/2010 22:55

Ish drejtuesi i lartë dhe një nga themeluesit e Partisë Socialiste, Servet Pëllumbi ka nxjerrë në dritë një detaj të rendësishëm të pazareve politike në Shqipërinë post-diktatoriale kur u zhvilluan edhe zgjedhjet e vitit 1992.

“Rezultati në vitin ’92 do të ishte më ndryshe por u kushtëzua nga takimi i Triestes mes Nanos dhe Berishës. Ne e llogarisnim që PD do fitonte por jo me 2/3-at. Takimi i Triestes u mbajt i fshehur. Nano nuk shkoi në Itali për të takluar Kraksin. Në Trieste, është bërë edhe marrëveshja mes Nanos e Berishës ku Berisha kërkoi të merrte 2/3-at e votave për t’u bërë president dhe vendin e kryeministrit ia ofroi Nanos. Në disa rrethe Nano nuk shkoi fare në takim me elektoratin si në Shkodër, Bajram Curri e Lushnje. Kur bëmë analizën e zgjedhjeve na rezultuan problemet që ishin shkaktuar gjatë kësaj fushate, ne e quajtëm mungesë përvoje por nuk ishte kështu. Berisha mori 2/3-at dhe Nanos i ktheu kurrizin duke caktuar Aleksandër Meksin. Nano u zhgënjye por nuk e bëri problem në parti. Nëse kjo marrëveshje do bëhej publike, ishte gjëja që i duhej më shumë vendit, por kjo u bë në mënyrë të fshehtë”, theksoi Pëllumbi.

Sipas tij, nuk është rastësi që edhe sot, Fatos Nano del në publik në momentet kur i duhet Sali Berishës. “Historia nuk vjen me kërkesën e atij që pretendon se e ka bërë historinë. Dëshira ime është që t’i vijë pas historia e vërtetë”, shton Pëllumbi.

Sipas ish kryeparlamentarit, komisioni hetimor i ngritur ndaj Edi Ramës ishte një grackë për kryebashkiakun. “Shkelte ligjin dhe cdo rregullore. Në këtë cështje kishte edhe deputetë nga PS që e dëshironin një denigrim të Ramës. Në atë periudhë edhe PS ishte në një situatë kritike”, tha më tej Pëllumbi. 

Top Channel