Debati për “Internacionalen”

30/05/2010 20:35

Një ditë pas mbledhjes së Komitetit për Europën Juglindore të Internacionales Socialiste, Arta Dade, sekretare për marrëdhëniet në Partinë Socialiste, kujtoi mbështetjen që internacionalja i dha Partisë Socialiste.

“Internacionalja Socialiste i bëri thirrje qeverisë dhe maxhorancës qeverisëse, që të bëjë transparencën e plotë të zgjedhjeve, përfshirë materialet zgjedhore, dhe hapjen e kutive të votave, përmes hetimit parlamentar pa vonesë dhe tani është momenti. Internacionalja Socialiste mbështeti Partinë Socialiste në të gjitha hapat e saj të betejës politike, për rivendosjen e demokracisë në vend. Ajo vlerësoi me nota maksimale, pjekurinë, kurajën, në të gjitha hapat që Partia Socialiste ka marrë, në mënyrë të veçantë në kompromiset e ofruara dhe vullnetin politik të treguar për zgjidhjen e krizës”, tha zonja Dade.

Ndër të majtët shqiptarë ra në sy mungesa apo përfaqësimi i LSI-së në këtë tryezë, edhe pse nuk është ende anëtare me të drejta të plota e saj.

Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes socialiste për integrim, Luan Rama e minimizoi rëndësinë e mbledhjes. Zoti Luan Rama tha për Top Channel se mbledhja e Komitetit të Europës Juglindore të Internacionales socialiste ishte një veprimtari e parëndësishme e disa njerëzve që nuk kanë me se të merren tjetër.

Ndërkohë që LSI, shtoi zoti Luan Rama, është fokusuar te përparësite integruese të Shqipërisë. LSI nuk është anëtare e Internacionales socialiste, si PS apo PSD, por marrëdhëniet e LSI-së me Internacionalen Socialiste si pjesë e axhendës ndërkombëtare të LSI-së, janë shkruar në statutin e kësaj partie.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA