Topi: Pavarësia e Kosovës, e pakthyeshme

13/05/2010 13:10

Presidenti Bamir Topi u shpreh se Shqipëria vlerëson dhe mbështet institucionet e Republikës së Kosovës, përkushtimin dhe angazhimin e autoriteteve zyrtare për të bashkëpunuar me praninë ndërkombëtare në Kosovë.

Në një takim në Presidencë me përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian dhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICO), Peter Feith, Topi theksoi se pavarësia e Kosovës është e paktyeshme dhe njohjet e saj janë të pandalshme.

Sipas një njoftimi të presidencës, të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtën pikëpamje përsa i përket rëndësisë së qëndrueshmërisë dhe paqes në rajon nëpërmjet bashkëpunimit në rritje dhe kontakteve sa më frekuente mes udhëheqësve politikë si dhe zhvillimit ekonomik, duke synuar integrimin e të gjithë vendeve dhe popujve të rajonit në gjirin e familjes evropiane.

“Kosova pret shumë nga Shqipëria në fushën ekonomike, sepse rruga që lidh dy vendet fqinje është një investim i rëndësishëm historik”, u shpreh Feith.

Top Channel