Mbrëmja e së shtunës për banorët, por edhe për publikun, nuk ka qenë vetëm një spektakël. Loja i është afruar fundit dhe për orë të tëra, banorët kanë përjetuar emocionet e finales. Publiku ka vendosur që Mandi të lërë shtëpinë. Mes banorëve që kanë dalë në kandidim, publiku do të përzgjedhë gjatë javës me televotim katër finalistët e “Big Brother 3“.
Kika tregon javën e parë jashtë shtëpisë
I konsideruar si një konkurrent i fortë, Kika la shtëpinë si pasojë e një eliminimi të dyfishtë në përballje me Jetmirin. Ai ende nuk ka arritur të shkojë në Prishtinë, për arsye pasaporte dhe as të çmallet me familjen. Sipas tij, jashtë shtëpisë ka gjetur një atmosferë shumë mikpritëse, me njerëz që e kanë ftuar edhe në shtëpitë e tyre. I pyetur se pse mendoi se publiku zgjodhi të eliminonte atë dhe jo Jetmirin, Kika ka thënë se nuk e di pse ndodhi, por nuk beson se e ka nxjerrë publiku. Arbana e sqaron se çdo gjë në spektakël është transparente dhe e verifikueshme. Më pas, Kika ka pasur një përballje me Erionin, të cilin e ka zgjedhur mes banorëve që nuk duhet ta fitojnë lojën.
Banorët zgjedhin “fituesin”
Ndërkohë që “Big Brother” po shkon drejt fundit, të eliminuarit, ndonëse jashtë shtëpisë, janë vazhdimisht protagonistë. Për pak minuta, ata janë kthyer sërish në dhomën e rrëfimit. Këtë radhë me një mision të rëndësishëm. Për të zgjedhur banorin që ata do të donin të ishte fitues i “Big Brother 3”. Bertina ka zgjedhur Erionin, sepse sipas saj, ai ka qenë më i drejti dhe më i sinqerti. Po ashtu, edhe Graciela ka zgjedhur Erionin. Bledi, Tatiana dhe Olta kanë zgjedhur si të preferuarin e tyre Klodin. Dy të parët e kanë justifikuar këtë zgjedhje me faktin që Klodi është treguar i guximshëm për të pranuar prirjet seksuale në një vend ende me tabu në këtë drejtim, ndërsa Olta e ka parë atë si personin e vetëm që i ka qëndruar afër. Në përfundim të votimit, Klodi është ndier i fyer nga arsyet e dhëna nga Tatiana dhe Bledi. “Unë nuk kam vetëm guximin për të deklaruar homoseksualitetin, kam shumë gjëra të tjera”. Ndërkohë që kanë qenë të shumtë ata që kanë zgjedhur Domenikën. Gjimi, Hakiu, Pamela, Renato, Seldi dhe Vali e kanë justifikuar zgjidhjen e tyre duke thënë se Domenika ka qenë e vetmja që ka bërë një lojë të pastër dhe është shembulli më i mirë që mund të jepet. Edi, Manal dhe Valoni kanë votuar për Jetmirin, duke e cilësuar se ai ka qenë banori që i ka dhënë më shumë gjallëri shtëpisë.
Banorët “eliminojnë” Jetmirin
Pasi kanë votuar për banorin që duhet të fitonte “Big Brother 3”, një tjetër klip shfaq votat e banorëve për banorin që ata nuk do të donin të fitonte këtë edicion të tretë. Shumica prej tyre, ashtu siç edhe pritej, kanë zgjedhur Jetmirin. Bledi, Gjimi, Olta, Renato, Seldi, Graciela dhe Valentina janë shprehur se Jetmiri nuk duhet ta fitojë në asnjë mënyrë “Big Brother”. Secili prej tyre e ka cilësuar lojën e tij të pistë, plot intriga, si person me negativitet. Vetë Jetmiri i priste këto fjalë. Ndërkohë që në listën e “të padëshiruarve” ka qenë edhe Eridiona. Edi, Pamela, Tatiana kanë argumentuar se Jona është një banore që ka hyrë shumë vonë brenda shtëpisë dhe nuk do ta meritonte fitoren. Bertina ka qenë e vetmja që ka nominuar Domenikën.
Mandi takon vajzën dhe bashkëshorten
Prova e celularit gjigant brenda shtëpisë ka shkaktuar jo vetëm të qeshura, por edhe emocione për banorët. Ata që arrinin të shkruanin më shpejt një SMS, kishin të drejtën edhe të një telefonate. Ndonëse Mandi u rrek shumë ta fitonte këtë provë, nuk mundi. Ai e dëshironte shumë një telefonatë me të bijën, prandaj “Vëllai i Madh” i kishte rezervuar një surprizë gjatë spektaklit. Fillimisht Mandin e ftojnë të shohë një klip, në të cilin shfaqet vajza e tij. Kanë qenë emocione të forta për ta. Më tej, në studio diskutohet për përpjekjet e tij për të fituar provën e telefonit. Por surpriza e vërtetë e priste Mandin në oborr, ku e bija dhe e shoqja i dhuruan lule.
Jona, përballë dy djemve
Gjatë javës, Jona ka pasur debate të ashpra me Jetmirin dhe Erionin. Shpesh ajo është ndier e fyer. Pas një klipi me përplasjet mes tyre, gjatë diskutimit në spektakël, Jona u shpreh se ajo ka shumë plane pasi të dalë nga shtëpia, ndërsa i vjen keq për Jetmirin dhe Erionin që do të mbeten në atë nivel. “Të dy këta njerëz i japin vetëm anët negative shoqërisë shqiptare”. I pyetur nga opinionisti Arian Konomi, Jetmiri ka thënë se mënyra e tij e sjelljes, ndoshta ndonjëherë edhe arrogante, është pjesë e lojës që ai ka zgjedhur për të zbuluar karakteret e gjithsecilit prej tyre.
Golat e “Champions League”
Banorët janë të privuar nga çdo informacion i jashtëm. Djemtë brenda shtëpisë, tifozë të futbollit, nuk kanë mundur të shohin ndeshjet e “Champions League”. “Vëllai i Madh” ka përgatitur një surprizë për ta. Në dhomën e kuqe, djemtë duhet të gjejnë rezultatet e disa ndeshjeve e më pas do të mund të shohin golat. Në fakt ata gabojnë, por me një mundësi të dytë, që konsistonte në driblimin e topit nga Mandi, ata kanë ndjekur golat e ndeshjeve të deri më tanishme.
Largohet Mandi
Mandi është banori i radhës që lë shtëpinë dhe humbet finalen. Mes Jetmirit, Erionit dhe Eridionës, publiku ka vendosur që lojën ta lërë Mandi.
Surprizë për Domenikën
Në oborrin e shtëpisë ndodhet një person, i maskuar me kapele dhe shall, të cilin banorët duhet ta gjejnë se cili është. Në të vërtetë, brenda shtëpisë ka hyrë Alida, shoqja e Domenikës, e cila i bën një surprizë.
Kandidime të veçanta
Kandidimet e kësaj jave kanë qenë të veçanta. Banorët shkojnë në dhomën e rrëfimit, jo për të zgjedhur personin që do të dëshironin të shihnin në kandidim, por atë që do të donin të shihnin në finale dhe një arsye për çdo vendim. Më i votuari shkoi automatikisht në finale, ndërsa finalistët do të zgjidhen gjatë javës me televotim mes të kandiduarve.
Top Channel