Aksidentohet autoboti me naftë, shpërthim në rrugë

22/03/2010 11:45

Një autobot i ngarkuar me naftë ka shpërthyer në flakë pas një aksidenti ndodhur sot paradite ne aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër.

Autoboti ishte nisur nga Tirana për në Gjirokastër dhe për shkak të humbjes së kontrollit nga ana e drejtuesit, mjeti është përplasur me një bordurë. Pas përplasjes drejtuesi ka vrapuar të largohet dhe pak sekonda më pas kanë shpërthyer flakët duke shkaktuar një situatë kaosi.

Për 45 minuta u bllokua lëvizja e mjeteve për shkak se flakët rrezikonin të dëmtonin cdo automjet që kalonte në vendin e aksidentit. Tymi dhe flakët janë dukur disa kilometra larg. Pak minuta pas shpërthimit në vendngjarje mbërriti policia dhe disa automjete zjarrfikëse të cilët shpejtuan për të shuar flakët që bllokuan rrugën.

Për 45 minuta policia ndaloi edhe lëvizjen e mjeteve, ndërkohë në vendgjarje policia nisi edhe hetimet për të zbardhur arsyet e këtij aksidenti. Në autobot ishin të ngarkuara 6 mijë e 600 litra nafte.
 

Top Channel