Serie A, ndryshime ditësh dhe oraresh për ndeshjet

26/05/2017 00:00

Liga profesioniste e futbollit italian ka njoftuar këtë të premte shpërndarjen e të drejtave televizive për sezonet 2018-2021, por jo vetëm. Risi përbën edhe orari se kur do të luhen ndeshjet e Serie A.

Duke nisur nga sezoni 2018-2019, 10 sfidat e një jave normale të kampionatit italian do të shpërndahen në tri ditë dhe në 8 orare të ndryshme, e ndryshe nga ajo që kemi parë deri më tani, ose më saktë që do të shohim edhe sezonin e ardhshëm, pas dy sezonesh nuk do të kemi më aq shumë ndeshje të dielën në orën 15.

Përballjet e Serie A do të ndahen pikërisht kështu: të shtunave do të luhet një ndeshje në orën 15, një në orën 18 dhe një në orën 20:30. Për të vijuar më pas me ditën e diel, që do të nisë pikërisht me duelin e parë të orës 12:30, për të vazhduar me 3 ndeshje në orën 15, një në orën 18 dhe një në orën 20:30. Java e Serie A do të mbyllet me përballjen e fundit, të hënën në orën 20:30.

Veç shpërndarjes së ndeshjeve, vihet re se nuk do të luhet më në orën 20:45 të mbrëmjeve të së shtunave apo të dielave. Një tjetër gjë për t’u vendosur është edhe ajo e 3 sfidave të orës 15 të së dielës, pasi duke nisur nga sezoni 2018-2019, në Champions League do të shkojnë 4 skuadra italiane, e kjo do të bënte që njëra prej këtyre sfidave të spostohej të shtunave, që nga 3 do të bëhej me 4 ndeshje.

Për këtë risi, gjithsesi duhet të presim pas dy sezonesh, pasi atë që nis të luhet gushtin e këtij viti nuk do të ketë ndryshime: gjithçka do të luhet të shtunave në orën 18 dhe 20:45, e të dielave në oraret 12:30, 15, si dhe 20:45.

Top Channel