Superiorja rikthehet me Tirana-Vllaznia

30/03/2017 00:00

Dikur Tirana-Vllaznia ishte klasikja e futbollit shqiptar, që vendoste tituj dhe pjesëmarrje në kupat europiane, por këtë të premte, gjigantët e Kategorisë Superiore detyrohen të llogarisin edhe mbijetesën.

Matematikisht të rrezikuar për rënien dhe larg objektivave, si kryeqytetasit, ashtu edhe skuadra shkodrane kanë nevojë për pikë në përballjen e “Selman Stërmasit”, që do të luhet të premten në orën 19:00.

Një fitore potenciale e bardhebluve do të sillte dhe kapërcimin në renditje të Vllaznisë, me ekipin pritës që ka avantazhin e fushës, por sërish do të llogarisë mungesën e disa grupimeve të tifozëve për polemikat me drejtuesit.

Ndërkohë, në diskutimin për titullin, në po të njëjtin stadium, të dielën Partizani do të sfidojë Skënderbeun kampion në fuqi, mbi të cilin qëndron dy pikë më lart në klasifikim. Për të mbajtur hapin e Kukësit, që ka një përballje më të lehtë me Luftëtarin, “demat e kuq” duhet të fitojnë një nga finalet e mbetura të sezonit.

Humbja në kryeqytet do ta distanconte edhe më shumë ekipin korçar me “trenin” e kryesuesve. Kjo është edhe panorama e plotë e javës së 27 në Kategorinë Superiore:

E premte
Tirana-Vllaznia 19:00

E shtunë
Teuta-Laçi 16:00
Flamurtari-Korabi 19:00

E dielë
Kukësi-Luftëtari 16:00
Partizani-Skënderbeu 19:00.

Top Channel