Turqia-Europës: Së shpejti, luftra fetare

17/03/2017 00:00

Reagimi i ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ndaj fitores së kryeministrit holandez Mark Rutte, ka ngjallur polemika të mëdha.

Kryediplomati turk deklaroi se, mes Ruttes dhe kandidatit humbës të ekstremit të djathtë, Geert Wilders, të cilin ai e quan “fashist”, nuk ka ndonjë ndryshim të madh, ndërsa shtoi se Europa mund të bëhet shumë shpejt prè e luftrave fetare.

“Në ç’drejtim po shkoni, ku po e tërhiqni Europën? Ju po e çoni drejt kolapsit, drejt buzës së greminës. Së shpejti në Europë do të nisin luftrat fetare”, tha Mevlut Cavusoglu.

Mosmarrëveshjet me Ankaranë, pasojë e ndalimit të tubimeve elektorale të dy ministrave turq në Holandë, u kthyen në kapital politik për Rutten. Partia e tij Popullore për Liri dhe Demokraci siguroi 33 vende në Parlament, duke mposhtur Partinë për Liri të Wildersit, e duke i dhënë një frymëmarrje të re kontinentit të vjetër të përballur me një dallgë populizmi në rritje.

Të enjten, Recep Tayyip Erdogan deklaroi se Rutte fitoi zgjedhjet, por humbi miqësinë e Turqisë. Presidenti turk dënoi ashpër edhe vendimin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, i cili i lejon kompanitë t’iua ndalojnë punonjëseve të tyre mbajtjen e shamisë së kokës.

“Turp t’i vijë BE-së me gjithë parimet, vlerat dhe drejtësinë e saj. Ata kanë nisur një konflikt mes kryqit dhe gjysmëhënës së Islamit, se nuk ka shpjegim tjetër”, ishte komenti i Erdoganit.

Top Channel