Tapeti i kuq i “Oscars” është legjendar, por as ai i çmimeve “Grammy” nuk mbetet prapa. Fustani i gjelbërt vezullues i Adele mbante firmën e Ricardo Tisci dhe “Givenchy Haute Couture”, së bashku me veshjen e derdhur të zezë, me mëngë të gjata prej kadifeje të butë, që mbajti gjatë performancës “live”.

Beyonce dukej si perëndeshë me fustanin e kuq rrëzëllitës të mbushur me temina. Lady Gaga, ekstravagante si gjithmonë, u paraqit me të zeza. Veshja në fakt, më shumë e nxirrte të zbuluar.

Katy Perry u shfaq në formë tejet të mirë fizike. Shkëlqimi është fjala që përcakton më mirë edhe fustanin e puthitur pas trupit, që shkonte shumë me ngjyrën e ndryshuar të flokëve.

Zgjedhja e Rihannës ishte një fund i gjatë i zi dhe i fryrë, kombinuar me një bluze të shkurtër ngjyrë portokalli e të mbushur me kristale, stilim i Armanit. Ceelo Green i hutoi fare të pranishmit me pamjen e tij që të kujtonte sagën “Star Trek”.

Në shfaqje të tilla, teprimi edhe falet, por reagimet në internet mund të jenë të pamëshirshme. “Përse është veshur Ceelo Green si një bombone ‘Ferrero Rocher’”, ishte njëri prej komenteve më të pëlqyera në rrjetet sociale.

Magjepsëse u shfaq edhe vajza 18-vjeçare e Michael Jacksonit, Paris, e cila kishte zgjedhur një veshje me shirita në ngjyrat jeshile, rozë, portokalli dhe blu. Shkëlqimi nuk mungoi as në këtë rast.

Top Channel