Tifozë dhe gjyqtarë, “BIRN” denoncon “aventurën” spanjolle

23/01/2017 00:00

Tre gjyqtarë të Apelit të Durrësit akuzohen për korrupsion pasiv.

Sipas Rrjetit të Gazatarëve Investigativë të Ballkanit, BIRN, gjyqtarët Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno kanë zhvilluar dy udhëtime, njëri prej të cilëve në Spanjë për të parë ndeshjen e futbollit mes Real Madrid dhe Barcelonës në 2014.

BIRN raporton se rasti që po hetohet nga prokuroria implikon gjyqtarët e Apelit të Durrësit me biznesmenin Namik Sadiku dhe ka të bëjë me një çështje gjyqësore midis këtij të fundit dhe ish-ortakut të tij, Oliver Ushina.

Ushina kishte paditur Namik Sadikun për ndërtimin e një pallati 10-katësh në zonën e Shkëmbit të Kavajës, çështje të cilën ai e fitoi në shkallën e parë.

Por vendimi u rrëzua nga Gjykata e Apelit me ndërhyrjen e treshes Spahiu, Dhimitri dhe Çeno, i pari në cilësinë e relatorit dhe dy të tjerët anëtarë të trupit gjykues.

Më pas të tre gjyqtarët kanë shkuar dhe kanë parë derbin “El Clasico” në Spanjë bashkë me Sadikun, i cili dyshohet se ka mbuluar të gjitha shpenzimet. BIRN ngre dyshime se, më parë, tre funksionarët e drejtësisë kishin udhëtuar me biznesmenin edhe në Itali.

Namik Sadiku është kontaktuar nga BIRN, por ka hedhur poshtë çdo aludim për kontakte midis tij dhe njerëzve të drejtësisë. Ai pretendon se përputhja e datave të udhëtimit të tij me ato të gjyqtarëve janë tërësisht rastësore.

Dyshimet për financimin e këtyre udhëtimeve po hetohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda që prej një viti e gjysmë.

Top Channel