Tragjedia e Chapecoense, portieri i mbijetuar, “goli” nr.1

13/12/2016 00:00

Rikthimi i një prej futbollistëve të mbijetuar nga tragjedia që thuajse e shfarosi skuadrën e Chapecoense është cilësuar si goli i parë nga 4 të tillë që duhet të shënojë formacioni brazilian virtualisht.

Aksidenti ajror që shkaktoi 71 viktima, fatmirësisht nuk kishte mes trupave pa jetë portierin 24-vjeçar Xhekson Folman.

Ky i fundit u rikthye për herë të parë në Brazil pas aksidentit dhe u dërgua në një spital të Sao Paulos për trajtim të mëtejshëm. Portieri rezervë i Chapecoense po udhëtonte me ekipin për ndeshjen më të rëndësishme të historisë finalen e Copa Sudamericana, por avioni u rrëzua për mungesë karburanti. Folman vuan një këmbë të amputuar dhe dëmtime të tjera.

“Tani për tani ne po festojmë golin e parë, por duhet të fitojmë 4-0. Kur të rikthejmë 4 të mbijetuar në shtëpi nga 6 në total, pra 3 lojtarët dhe gazetarin Rafael Henzel, atëherë vërtet që kemi fituar”, tha doktori i skuadrës së Chapecoense, Markos Andre.

Portieri Folman është një prej atyre që fati i rezervoi të qëndronte në jetë pas aksidentit në malet kolumbiane pranë Medelin. Përplasja ishte një kthesë e hidhur e fatit për historinë përrallë të Chapecoense që u ngjit në 7 vjet nga divizioni i katërt, deri në finalen e një Kupe.

Top Channel