Duka “shmang” trukimet

08/12/2016 00:00

Çështja e shumëpërfolur e trukimeve u shmang me diplomaci nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, edhe pse nga UEFA kanë ardhur të tjera fakte mbi një dënim të ri potencial për Skënderbeun.

Kreu i FSHF-së i ftuar në një forum studentor se korçarët nuk janë realisht pala e akuzuar, edhe pse Federbet apo agjenci të tjera kanë etiketuar “Ujqërit e Dëborës” si aktorë aktiv apo jo, të manipulimeve.

“Skënderbeu nuk është realisht i akuzuar ose me akuza të faktuara për trukim të rezultateve. Sepse, po të ishte kështu, nuk do të merrte pezullim për një vit në Kupat e Europës. Po të ngrini një paralele, një klub në Maqedoni është akuzuar gjashtë vjet nga futbolli, nuk ka asnjëherë argumentime, por le të themi ka dyshime të forta për disa ndeshje. Trukimet nuk janë fenomen shqiptar. Është fenomen, i cili ekziston realisht në botën e futbollit. Është kanceri i tij dhe nuk di nëse futbolli do ta eliminojë ekzistencën e këtij fenomeni negativ”, tha Duka.

Duka foli gjithashtu edhe mbi skemën e kampionatit shqiptar. “Mendoj se kjo skemë me 10 ekipe që kemi është më e mira. Në një lloj balance, kjo skemë ka më shumë të mira se të këqija. Kampionati shqiptar, sigurisht që ka problematikën e vet, jo pak, por aq më shumë se kampionatet e tjera. Nuk mund të krahasohet me kampionatet në Spanjë, Angli, Gjermani apo Itali, por është pa dyshim më i mirë se kampionatet e tjera të rajonit tonë”, tha kreu i FSHF.

Armand Duka pati këtë të enjte një takim edhe me ambasadorin e Iranit, një vend që është larg nivelit ku pretendojnë kuqezinjtë dhe pa interes real për transferime apo bashkëpunime. Pasi është njohur me historinë e futbollit shqiptar duke bërë një vizitë në muzeun e institucionit, ambasadori iranian vlerësoi arritjet e futbollit shqiptar.

Top Channel