Britani, “Brexit” në duart e Parlamentit

03/11/2016 00:00

Vetem Parlamenti e ka në duar nisjen e procesit të largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Vendimi i Gjykatës së Lartë është një goditje e madhe për kryeministren Theresa May dhe të gjithë bashkëpunëtorët e fushatës pro Brexit.

Vendimi i marrë nga një emër i lartë i drejtësisë, lord Thomas i Cwmgiedd, ka të ngjarë të ngadalësojë ritmin e largimit të Londrës nga blloku 28-vendësh dhe është njëherësh një pengesë e madhe për shefen e re të qeverisë së Londrës, e cila që kur ka marrë postin ka këmbëngulur se do të jetë qeveria e saj ajo që do të vendosë mbi mënyrën e shkëputjes.

Por për Gjykatën e Lartë, e cila në fund jep edhe verdiktin: ligji më themelor i Kushtetutës në Mbretërinë e Bashkuar është se Parlamenti është sovran.

Sipas saj, qeveria nuk mund të veprojë e vetme dhe të shfuqizojë të ashtuquajturin neni 50 i Bashkimit Europian, i cili thotë se çdo shtet anëtar mund të largohet pa miratimin unanim të Parlamentit.

Vendimi, që është konsideruar politik, ka të ngjarë të ankimohet dhe të kërkohet një seancë e posaçme gjatë muajit nëntor, sërish në Gjykatën e Lartë.

Gjykata mori 2 javë e gjysmë kohë për të arritur në këtë përfundim. Por avokatët e qeverisë argumentojnë se kryeministri ka fuqinë e tij ekzekutive.

Analistët thonë se miratimi parlamentar është i nevojshëm për një ndryshim të tillë themelor që do ndikon në jetën e miliona qytetarëve në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas tyre, në qoftë se ministrat do të marrin vendime për Brexit, ata kështu do të minojnë sovranitetin e së drejtës.

Kjo periudhë trazirash për Mbretërinë e  Bashkuar pason referendumin e qershorit ku Brexit dominoi me 51.9% të votuesve që donin të largoheshin dhe 48.1% që donin të ishin pjesë e Unionit.

Top Channel