6-vjeçari i dërgon letër Obamës, kërkon të ndihmojë Omranin e vogël

22/09/2016 00:00

Alex, djal i dy prindërve shqiptarë, jeton në Nju Jork dhe është vetëm gjashtë vjeç, por edhe pse kaq i vogël, letra që i ka dërguar presidentit amerikan Barack Obama tregon një fëmijë me zemër të madhe.

I prekur nga Omran Daqneesh, djaloshi që tronditi botën me pamjen e tij pas një bombardimi të forcave siriane në Aleppo, Alex i kërkon shefit të Shtëpisë së Bardhë t’i mundësojë të miturit udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara.

“Omran mund të qëndrojë në shtëpinë time”, thotë djali dhe familja e tij është dakord. “I dashur President Obama, a ju kujtohet djali që u shpëtua me autoambulancë ne Siri?”, e nis Alex letrën e tij. “A mundeni ju lutem të shkoni ta merrni e ta sillni në shtëpinë time? Do t’iu presim me flamuj, lule e tullumbace. Ne do t’i japim atij një familje dhe do ta trajtojmë si vëllain tonë”.

Fjalët e djalit, presidenti amerikan i citoi në samitin e Kombeve të Bashkuara për krizën e refugjatëve përpara se Shtëpia e Bardhë ta regjistronte 6-vjeçarin duke i lexuar vetë.

“Duhet të jemi të gjithë pak më shume si Alex”, shkroi Obama. “Mendojeni pak sesi do të dukej bota po të ishim kështu. Mendoni pak për vuajtjet që mund të lehtësojmë dhe jetët që mund të shpëtojmë”.

Shumë përdorues të mediave sociale e përshëndetën qasjen e presidentit, por lavdërimet më të mëdha i ishin rezervuar padyshim Alex-it të vogël.

Top Channel