Zonë sigurie në Siri, Erdogan në G20: Një hapësirë për të strehuar refugjatët

06/09/2016 00:00

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i nxiti liderët botërore në Samitin e G20-s të krijojnë “një zonë të sigurt” në Siri ku të mos ketë luftime e ku njerëzit që i largohen konfliktit, të mund të sistemohen.

Nga Kina ku u mblodhën për takimin e nivelit të lartë udhëheqësit 20 vendeve më të zhvilluara të botës, kreu i shtetit turk tha se propozimin e tij ua kishte përsëritur presidentit rus Vladimir Putin dhe shefit të Shtëpisë së Bardhë Barack Obama gjatë bisedimeve të zhvilluara me ta.

“Ne e bëmë të qartë që në Samitin e Antaljas nevojën e krijimit të një zonë të sigurt në Siri, e cila të jetë 95 km e gjatë e 40 km e gjerë. Me vendosjen e saj, do të mund ta zgjidhnim problemin e emigrantëve. Sirianët mund të akomodohen brenda kësaj zone. Çështjen e sollëm në vëmendje gjatë këtij takimi me miqtë tanë”, u shpreh Erdogan.

Turqia që strehon aktualisht 3 milionë refugjatë sirianë, e kërkon prej kohësh hedhjen e një hapi të tillë me argumentin se në këtë mënyrë, do të ofrohet mbrojtje për civilët. Pak ka gjetur megjithatë Ankaraja në këtë kërkesë të sajën mbështetjen e aleatëve perëndimorë, të cilët druhen se kjo lëvizje do të kërkonte nga ana e tyre një angazhim edhe më të madh ushtarak.

Në përpjekje për të mbrojtur kufijtë e saj, Turqia ndërmori gati dy javë më parë një inkursion në veri të Sirisë dhe që prej atëherë, e ka shpallur një rrip toke prej 90 kilometrash në kufi si të pastruar nga elementët e Shtetit Islami dhe nga paraushtaraket kurdë.

Top Channel