Trump në Meksikë, protestë në Los Angeles nga bijtë e emigrantëve latinë

01/09/2016 00:00

Latinët, grupe të rinjsh që votojnë për të parën herë dhe bij emigrantësh të lindur në Amerikë, protestuan në Los Angeles kundër politikave të Donald Trump-it mbi emigracionin e i nxitën kalifornianët të shkojnë të regjistrohen e të votojnë.

Një pjesë thërrisnin në spanjisht: “latinët janë të bashkuar e nuk do të mposhtën kurrë”, të tjerë mbanin në duar pankarta ku shkruhej: LA, hidhe tutje Trump-in, apo t’i voton, nuk ka depërtim”.

“Në një kohë kur miliona familje emigrantësh në Shtetet e Bashkuara kërkojnë zgjidhje reale të çështjes së emigracionit të paligjshëm, kur miliona meksikanëve u duhet të lënë vendin e tyre për shkak të varfërisë, dhunës dhe sepse  nuk kanë mundësi punësimi, Donald Trump dhe Presidenti Pena Nieto shkojnë e na japin shfaqje cirku”, tha Jorge Mario Cabrera, grupi i të drejtave të njeriut CHIRLA.

“Objektivi ynë është një votë masive, një votë historike dhe jua them, në këto zgjedhje kanë për ta parë fuqinë tonë, të emigrantëve, fuqinë e atyre që janë kthyer në qytetarë nga e gjithë bota. Do të shikoni një votë të zgjuar dhe të paramenduar”, tha Axel Paredes, protestues.

Maria Hernandez nuk ka dokumente të rregullta dhe nuk voton dot, por kjo nuk do ta pengojë të jetë pjesë e zgjedhjeve presidenciale.

“Unë nuk mundem të votoj, por do t’i kaloj këto dy muaj duke trokitur në dyert e latinëve për t’i treguar më saktë se çfarë propozohet e për t’i shpjeguar qëndrimin e palëve”, u shpreh Maria Hernandez, emigrante e paligjshme.

Hispanikët përbëjnë rreth 17% të popullsisë amerikane, çfarë i kthen ata në një grup votuesish të një rëndësie kyçe në atë që pritet të jetë një garë e ashpër dhe e ngushtë mes Trumpit dhe Hillary Clintonit.

Top Channel