Partizani me ekip të plotë në Rusi, “vizat” në Serbi

15/08/2016 00:00

Skuadra e Partizanit do të jetë e plotë në transfertën e vështirë ndaj Krasnodarit në ndeshjen e parë të “play off” në Europa Lig. Problemet burokratike të lindura për mungesë vize të dy futbollistëve nga Kosova kanë marrë zgjidhje aty ku “demat e kuq” fillimisht e prisnin më pak, në qendër të Serbisë.

Mbrojtësi Labinot Ibrahimi dhe mesfushori Ylber Ramadani janë pajisur me vizë këtë të hënë nga Ambasada Ruse në Beograd, duke i dhënë fund një ngërçi që mund të krijonte precedent të rrezikshëm për qeverinë e futbollit europian.

Frika ishte shtuar pasi Rusia e cilëson ende Kosovën si provincë të Serbisë, e për këtë, çështja kishte marrë përmasat e një ekuacioni të vështirë. UEFA nga ana e saj e njeh Kosovën dhe mohimi eventual i transfertës do të sillte jo pak pasoja. Me këtë në mendje por edhe me presionin e një ndeshjeje ndërkombëtare, Partizani merr atë që i takonte dhe mund të udhëtojë drejt Rusisë me mendjen vetëm për lojë.

Në 18 Gusht në orën 18:30 “të kuqtë” e Shqipërisë do të luajnë ndaj Krasnodarit në një sfidë delikate dhe në një fushë armiqësore, të paktën nga ajo çfarë pritet në kuban stadium, impianti me 35 mijë e 200 vende. Kalari do të mungojë për shkak të kartonit të kuq me Salzburgun, por alternativat e Partizanit nuk mungojnë.

Top Channel