Dua Lipa elektrizon Tiranën

11/08/2016 00:00

Dua Lipa performoi ashtu siç është, një këngëtare e përmasave ndërkombëtare, edhe pse ka vetëm dy vjet në tregun e muzikës. Për herë të parë në një vizitë dhe koncert në Shqipëri, këngëtarja tregon emocionet për Top Channel pak para daljes në skenë.

“Kam shumë emocione. Është një ndjenjë e mirë që do dal përpara popullit tim. Në Prishtinë më pritën shumë mirë dhe ia kalova shumë mirë. Moment i paharrueshëm”, u shpreh Dua Lipa.

Gjatë gjithë kohës ka qenë e shoqëruar nga babai i saj, Dukagjin Lipa, kumbari i suksesit të saj.

“Që kur kam qenë e vogël kam dëgjuar muzikën që pëlqente ai dhe jam frymëzuar. Ai është një nga arsyet pse unë bëj atë që bëj sot”, tha këngëtarja e re.

Skena e madhe e koncertit të hapur u ndez nga brohoritjet për Duan, nga ku edhe njeherë kjo këngëtare e tregoi që ka stil në çdo element performues.

“Gjithmonë kam pasur qejf të vishesha ndryshe dhe të isha ndryshe. Sot i kam mundësitë t’i bëj të dyja”, thekson Dua Lipa.

Së shpejti ajo do t’i prezantohet publikut me singëllin e saj më të ri, ndërsa albumi i ri do të dalë në shkurt të vitit të ardhshëm.

Dua pothuajse nuk e besonte që ishte në Tiranë dhe performoi përpara publikut të Shqipërisë, ku më shumë se kudo i shkon simboli që ajo nuk harron asnëherë ta bëjë.

Top Channel