Bundesliga, Draxler gjithnjë e më larg Wolfsburgut

03/08/2016 00:00

Mjaftoi një vit për të bërë që Julian Draxler të pendohej mbi zgjedhjen e tij sezonin e kaluar. Futbollisti i kombëtares gjermane kishte mundësinë t’i bashkohej Juventusit apo Manchester United, por preferoi të qëndronte brenda Bundesligës, këtë herë duke u spostuar në radhët e Wolfsburgut.

Sot mesfushori teknik, që konsiderohet e ardhmja e “Panzerave”, duket se po i shtrin dorën admiruesve që i kanë mbetur në kontinentin europian. “Dua të largohem nga Wolfsburgu dhe për këtë i kam lajmëruar më parë drejtuesit e klubit, madje dy ditë pas gjysmëfinales ndaj Francës në ‘Euro 2016’”, tha Julian Draxler.

Ai dha edhe të tjera detaje se, ndoshta shtatori nuk do ta gjejë me fanelën e “Ujqërve”, të cilëve i mungon konkurrueshmëria me gjigantët e tjerë të Bundesligës.

“Ka qenë gjithmonë dëshira ime e qartë, që në momentin kur prezantohen mundësi interesante të flisnim përballë, por unë e kam objektivin tim. Dua të largohem nga Wolfsburgu”, tha mesfushori gjerman.

Në këtë mënyrë, pretendentët për kartonin e Julian Draxler rikthehen në garë, me Juventusin në linjën e parë. Kjo për shkak se bardhezinjtë ende nuk dinë datën e rikthimit të saktë të Marchisios dhe me të gjitha gjasat do të humbasin edhe Paul Pogba.

Top Channel