Lufta ndaj terrorit në SHBA, Gingrich: Të testohet çdo mysliman

15/07/2016 00:00

Testimi i myslimanëve në SHBA dhe survejimi i xhamive është propozimi i politikanit amerikan Newt Gingrich për të zbuluar se cilët mes tyre janë ekstremistë.

Ish kreu i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan dhe ish-kandidat presidencial, i bëri këto komente gjatë një interviste për “Fox News”.

Sipas tij, myslimanët që jetojnë në SHBA duhen testuar për ta zbuluar se cilët mes tyre besojnë tek ligji Sharia dhe këta të fundit duhen deportuar.

“Dua të jem plotësisht i qartë. Qytetërimi perëndimor është në luftë. Duhet të testojmë çdo njeri me prejardhje myslimane dhe nëse ata besojnë tek ligji Sharia, duhen deportuar. Shari nuk përshtatet me qytetërimin modern. Myslimanët modernë që kanë hequr dorë nga Sharia janë të mirëpritur”, deklaroi Gingric.

Komentet e tij u bënë pas sulmit vdekjeprurës në Nisë në Francë, episode që i hapin gjithnjë rrugën debateve të tilla. I pyetur nga komentatori se si mund të zbulohet kush është ekstremistë dhe kush jo, Gingric tha se është e thjeshtë.

“Hapi i parë është ti marrim në pyetje. Së dyti, të monitorojmë çfarë bëjnë në internet. së tretit dhe dua të jem i qartë për këtë, të survejojmë xhamitë. Nëse nuk e bëjmë këtë, s’mund të kemi sukses. Xhamitë janë vendi kryesor i rekrutimit dhe indoktrinimit. Duhet të survejojmë medresetë dhe nëse ato mësojnë Sharian, nuk kanë vend këtu”, deklaroi Gingrich.

Komentet e tij janë t ngjashme me ato të Donald Trump, i cili më herët ka propozuar survejimin e xhamive të caktuara për të luftuar kërcënimit terrorist. Gingrich gjithashtu tha se jo të gjithë islamikët janë të këqij, por feja islame nuk mund të quhet fe e paqes.

Top Channel