Filipine, pengjet shfaqen në një video të re

04/05/2016 08:45

Tre pengje që mbahen nga militantët islamikë në Filipine u shfaqën në një video ku i luten qeverive të tyre që të plotësojnë kërkesat e pengmarrësve. Tre pesonat në fjalë, një kanadez, një norvegjez dhe një filipinase, janë në duart e grupit Abu Sajaf, një organizatë separatiste islamike që javën e shkuar ekzekutoi me prerje koke pengun kanadez Xhon Ridsdel.

Në video, pengjet thonë se nëse qeveritë e tyre nuk plotësojnë kërkesat e pengmarrësve, ata do të ekzekutohen si Xhoni. Më herët, grupi Abu Sajaf kishte kërkuar miliona dollarë për lirimin e pengjeve. Filipinet dhe Kanadaja kanë deklaruar publikisht se nuk do të dorëzohen para kërkesave të terroristëve. Madje, Filipinet kanë nisur një fushatë ushtarake kundër këtij grupi.

Pengjet u rrëmbyen shtatorin e shkuar në afërsi të qytetit të Davaos dhe u dërguan në fortesën e Abu Sajafit, në ishullin Jolo. Në videon e fundit, pas lutjeve të pengjeve për jetën, terroristët gjithashtu konfirmojnë qëndrimin e tyre duke thënë se nëse nuk paguhet haraçi, ata do të ekzekutohen. Abu Sajaf është një grup i fragmentuar, por i dhunshëm militant, me rrënjë në revoltën separatiste islamike në jug të Filipineve.

Disa prej fraksioneve të tij i kanë shpallur besnikëri Shtetit Islamik. Mediat thonë se ata kanë në dorë dhjetëra pengje të tjerë dhe gjatë viteve të fundit i kanë liruar shumicën prej tyre pasi janë paguar.

Top Channel