Italia vlerëson trajnerin De Biasi

07/03/2016 00:00

Gianni De Biasi u tregoi një pjese të klubeve italiane se është një trajner i aftë dhe që duhej vlerësuar.

Tekniku 59-vjeçar, i lënë në harresë nga skuadrat në vendin e apenineve, diti të dalë në skenë dhe kjo falë punës së bërë me Kombëtaren shqiptare, drejtimin e të cilës e mori në vitin 2011.

Me De Biasin në pankinë, skuadra kuqezi shënoi një arritje historike në futbooll duke u kualifikuar për herë të parë në një aktivitet siç është Europiani i Francës, që do të zhvillohet në periudhën 10 qershor-10 korrik të këtij viti.

Pikërisht për këtë arritje, Gianni de Biasi u vlerësua me çmimin ‘Pankina e Artë Speciale e vitit 2016”, çmim që erdhi disa muaj pas nderimit me “Honoris Causa” në Tiranë. Trajneri De Biasi do të jetë i pranishëm në ceremoninë e çmimit “Pankina e Artë” që do të zhvillohet në Coverciano, ku do të jepen vlerësime edhe për trajnerët e tjerë të Serie A, Serie B e Lega Pro.

Në vitin 2002, De Biasi u nderua me çmimin “Pankina e Argjendtë”, pasi mundësoi ngjitjen e Modenës në Serie B, ndërsa në 2006 Torino i dedikoi një monumen për punën që ia bëri në qytetin piemontez duke e ringjitur atë në Serie A.

“Ky çmim është një nder i vërtetë. Ua dedikoj të gjithë futbollistëve të mi”, ishte deklarata e shkurtër e trajnerit të Kombëtares shqiptare Gianni De Biasi.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel