FSHA përuron pistën e re të atletikës në “Elbasan Arena”

09/02/2016 00:00

Federata Shqiptare e Atletikës përuruar pistën në stadiumin “Elbasan Arena” për zhvillimin e Kampionatit Individual Dimëror.

Ky kampionat do të përcaktojë edhe sportistët më të mirë të FSHA-së, të cilët do të përfaqësojnë Shqipërinë në “Indoor Championships” që do të zhvillohet në Turqi në 27 shkurt.

Sekretari i Përgjithshëm i FSHA-së, Nikolin Dionisi shprehu edhe ambiciet e atletëve për gara ndërkombëtare.

“Federata jonë mendon që të çojë të paktën dy sportistë, të cilët mund të jenë Izmir Smajli, Adriatik Hoxha ose Eraldo Qerama që janë pretendentë për të kapur normat. Megjithatë ne do të presim, pasi këto janë garat e para të cilat gjithmonë janë pas sezonit të dimrit, ndërsa faza kulmore vjen në qershor apo korrik, kur federata botërore na ka dhënë mundësinë që ne të provojmë arritjen e normës”, shprehet Nikolin Dionisi, Sekretari i Përgjithshëm i FSHA.

Pista me tartan në Elbasan Arena është e ndërtuar sipas parametrave ndërkombëtare dhe do t’i shërbejë jo vetëm garave kombëtare, por edhe më gjerë.

Presidenti i Federatës Europiane të Atletikës, Svein Arne Hansen, i shoqëruar nga presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, vlerësuan punimet në këtë pistë gjatë një vizite që zhvilluan në fillim të shkurtit në “Elbasan Arena”.

Top Channel