Henry: Messi, më lart se Cristiano

23/02/2015 00:00

Thierry Henry nuk ka dyshime se kush është futbollisti më i mirë në botë. Ish-sulmuesi i Arsenalit dhe Barcelonës mendon se Leo Messi është më lart se Cristiano Ronaldo. Kur u pyet nga fifa.com për dy lojtarët më të mirë të viteve të fundit, francezi tha: “Kam luajtur me Messin, kështu që e dini përgjigjen time.”

“Kam një respekt të jashtëzakonshëm për Cristianon, i cili ka shumë vite që qëndron në nivele të larta. Të zhvillosh një sezon të mrekullueshëm është një gjë, por të zhvillosh 4 radhazi është një gjë krejt tjetër. Mendoj se nuk e kuptojmë plotësisht atë që po bëjnë Messi dhe Cristiano. Por, unë zgjedh Messin”, deklaroi Henry.

Ish-futbollisti rrëfen se që në ditën e parë që u stërvit me Messin te Barcelona e kuptoi që bëhej fjalë për një lojtar që do të bënte gjëra madhështore në futboll.

“Të gjithë e shikonin se ai ishte i veçantë. Nuk ishte nevoja të ishe ekspert. Ishte është një lojtar special. Duhet të jemi të lumtur që kemi mundësinë ta shohim duke luajtur pasi një ditë do të tërhiqet dhe do na mungojë shumë. Duhet ta shijojmë”, theksoi Thierry Henry.

Top Channel