Maicon: Një fund i turpshëm

13/07/2014 00:00

Douglas Maicon pranoi se Brazili pati një fund të turpshëm në Botëror, por paralajmëroi se ndeshjet ndërkombëtare që e presin Seleçaon duhet të shërbejnë për të ringritur sa më parë skuadrën pesë herë kampione bote.

“Nuk mund ta mohojmë se kishim shumë shpresa në këtë turne dhe në fund e mbyllëm me turp”, tha mbrojtësi brazilian i Romës pas përfundimit të ndeshjes së humbur 3-0 ndaj Holandës.

“Duhet të ngremë kokën dhe të ecim përpara pasi jeta vazhdon. Duhet të shohim të ardhmen pasi kemi përpara Kupën e Amerikës në vitin 2015 dhe Botërorin në vitin 2018”, shtoi Maicon.

Ndërsa kapiteni Thiago Silva tha: “Jemi të trishtuar. Kam kaluar net pa gjumë duke menduar për humbjen ndaj Gjermanisë dhe tani humbasim një tjetër ndeshje në të njëjtën mënyrë. Nuk e meritonim një fund të tillë.”

Top Channel