Festa e Realit në Santiago Bernabeu

26/05/2014 00:00

Real Madrid festoi triumfin në Ligën e Kampioneve me një festë madhështore të organizuar mbrëmjen e së dielës në stadiumin “Santiago Bernabeu”.

Festa nisi në Bashkinë e Madridit për të kulminuar më pas në stadium, ku me dritat fikur, ishin vetëm 4 ekranet gjigande që ndriçonin fushën dhe që krijonin atmosferë.

Në terrenin e lojës ishin rreshtuar 9 Kupat e Europës që ka fituar në historinë e saj skuadra madrilene, në pritje të Kupës së dhjetë, ose siç e quajnë tifozët e Realit, “La Decima”.

Carlo Ancelotti ishte i pari që hyri në fushë së bashku me stafin e tij teknik. Më pas, radha e lojtarëve. Ata dolën para tifozëve të tyre sipas kësaj radhe: në fillim Diego López, Illarramendi, Isco, Morata, Jesé, Modric (me “look” të ndryshuar), Nacho, Arbeloa, Casemiro…

I habiti të gjithë Carvajal me mjekrën që e kishte lyer të verdhë. Xabi Alonso u paraqit i thjeshtë dhe elegant. Vazhduan parakalimin Jesús Fernández dhe Marcelo. Bale mori ovacionet e publikut, por fakti që është i turpshëm e bënte të dukej i frikësuar në festë.

Benzema doli para Cristianos, i cili tregoi edhe një herë tjetër muskujt e tij para publikut madrilen.

Parakalimi vijoi me Khedira, Coentrao, Sergio Ramos, Pepe dhe Varane. Në fund, Iker Casillas. Kapiteni, së bashku me Sergio Ramos, morën “La Decima”-n dhe e ngritën së bashku, siç kishin planifikuar të bënin në Lisbonë. Më pas, Kupa kaloi nga dora në dorë tek të gjithë lojtarë, ndërkohë që duartrokitjet nuk pushonin.

Iker Casillas iu drejtua publikut me këto fjalë: “Mirëmbrëma Bernabeu! Kjo Kupë është për ju dhe për të gjithë tifozët e Realit kudo që ndodhen. Tani të mendojmë për të Njëmbëdhjetën.”

FOTO GALERI
1/5
Festa e Realit në Santiago Bernabeu

Top Channel