Spanja pushton Europën me trofe

15/05/2014 00:00

Spanja pritet të bëhet vendi me më shumë trofe të fituar në arenën europiane, në rang klubesh. Suksesit të Sevilla-s në Europa League do t’i shtohet ai i Realit apo Atletico Madrid, që më 24 Maj do të diskutojnë finalen e Champions League, si dhe ai i Superkupës së Europës, në muajin Gusht.

Me këto 3 suksese, numri i titujve europianë nga klubet spanjolle do të arrijë në 49, për të parakaluar Italinë, me 48 trofe të fituar deri në sezonin aktual. Në vendin e tretë, në këtë renditje të veçantë, pozicionohet Premier League e Anglisë, me 39 trofe në arenën ndërkombëtare për klube, duke lënë pas Bundesliga-n gjermane me 29 të tillë.

Spanja do të rrisë  avantazhin edhe përsa i përket numrit të titujve në Champions. Në finalen e Lisbonës, Real ose Atletico do të çojnë në 14 numrin e trofeve të fituar në këtë eveniment për La Liga-n, 2 më shumë se Serie A.

Në Europa League, apo ish-Kupa UEFA, iberikët arrijnë në 8 trofe, duke parakaluar Anglinë dhe duke iu afruar Italisë. Ndërsa, përsa i përket Superkupës Europiane, në Gusht La Liga do të rrisë numrin e trofeve të fituar në këtë eveniment në 11, dy më shumë se Serie A.

Top Channel