Hasi merr drejtimin e Anderlehtit

12/03/2014 00:00

Gjakovari Besnik Hasi do të drejtojë për 11 javët e ardhshme skuadrën e Anderlehtit duke u bërë shqiptari i parë që merr drejtimin e një ekipi që luan rregullisht në Ligën e Kampioneve.

Detyra e Hasit në këto pak javë është t’i kthejë harmoninë e munguar skuadrës belge, e cila ndodhet në vendin e tretë në kampionatin vendas, 12 pikë nga Standardi i Liezhit dhe 6 pikë larg nga Klub Bruzh, dy vendet që të cojnë në eleminatoret e Ligës së Kampioneve për sezonin e ardhshëm.

Hasi do të përballet me fazën e play off-it ku do të luajë dhjetë ndeshje me rivalët historikë të Anderlehtit në Belgjikë.

“Qëllimet e mia janë që grupi të vendosi një harmoni në fushë që të funksionojmë si ekip dhe dalëngadalë t’u jap mundësi të rinjve që të tregojnë veten”, thotë Hasi.

Në intervistën telefonike me Top Channel, edhe Besnik Hasi mbështet idenë e një kombëtareje, por pavarësisht një dëshire, thotë ai, krijimi i përfaqësueses së Kosovës është dicka e pashmangshme.

“Ne jemi një komb, një kulturë, një, por  problemi është që janë dy shtete, dy kombëtare. Cdo person duhet ta respektojë këtë”,  thotë trajneri shqiptar i Anderlehtit.
Duke parë tashmë gjithcka me syrin e trajnerit, Hasi e vlerëson punën e De Biazit dhe jep mendimin e tij se si mund të arrihet kualifikimi për në Francë 2016.

“Them që De Biazi ka bërë një punë shumë të mirë, ka krijuar një bazë të mirë të ekipit për vitet që do vijnë. Nuk them që nuk kemi mundësi, sepse po të shkojmë me atë mentalitet me mirë mos të luajmë fare. Ambiciet asnjëherë nuk duhet t’i humbësh. Ndeshjet në shtëpi duhet të provojmë gjithmonë t’i fitojmë dhe me pak fat një ditë do vijë dhe do bëhem trajner i kombëtares. Atë do të bëja me gjithë dëshirë dhe gjithë shpirt”, rrëfen Besniku.

Top Channel