Në Postribë, një zonë e martirizuar gjatë diktaturës, për shkak të kryengritjes kundër regjimit komunist, kryeministri Sali Berisha u përqendrua tek liberalizimi i vizave për të dhënë dy mesazhe politike.
I pari ishte se heqja e vizave ishte e merituar për shkak të reformave të kryera nga qeveria, e cila, sipas kryeministrit Berisha u ka provuar shqiptarëve se alternativa e saj e vetme mbetet arritja e standarteve europiane.
“Sot ne jemi së bashku në një përpjekje të madhe, të ndershme, serioze për ta ndryshuar çdo ditë Postribën, Shkodrën dhe Shqipërinë. Ne në këto përpjekje kemi shënuar dhe arritje të mëdha historike, kemi arritur të anëtarësohemi në NATO, po arrijmë të heqim vizat, kemi arritur të dyfishojmë pensionet, rrogat, pra në mundin tonë të madh dhe sakrificën tonë, ndërtohen mirësitë, ndërtohet e ardhmja jonë”, deklaroi kryeministri Berisha.
Mesazhi tjeter i zotit Berisha nga Postriba ishte se opozita del para shqiptarëve duke mohuar gjithçka është arritur pa patur një alternativë për progresin e vendit.
“Ju keni kaq kohë që i dëgjoni ata. Ju bëj thirrje, në ndërgjegjen tuaj bëni një pyetje çfarë ofroni ju zotërinj për ne? Mirë kjo qeveri paska të meta, por ju çfarë u ofroni qytetarëve shqiptarë? Kutitë, kutitë dhe vetëm kutitë”, vijoi më tej Berisha.
Ashtu si në Shkodër, edhe në Postribë, kur kanë mbetur edhe pak orë nga vendimi përfundimtar për heqjen e vizave, kryeministri Berisha e identifikoi Partinë Socialiste, si një forcë politike, që është përpjekur të pengojë lëvizjen e lirë të shqiptarëve.
“A jeni ju dëshmitarë të qëndrimeve të tyre të egra kundër letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike? A mund të fitonim ne të drejtën e lëvizjes pa pasaporta biometrike dhe te letërnjoftimeve elektronike? A jeni dëshmitarë se këta zotërinj filluan grevën e urisë pikërisht muajin që do të merrej vendimi më i rëndësishëm për ju, për lëvizjen e lirë? Pra këto janë arsyetimet që duhet të bëjë çdo qytetar në mënyrë që secili t’i japë atë që meriton”, shtoi kryeministri.
Top Channel