Presidentët e 12 klubeve të Superligës Shqiptare kanë hedhur hapin e parë drejt Ligës Profesioniste.
Ata kanë vendosur krijimin e një komisioni për realizimin e kushteve që do të sjellë krijimin e saj, duke zgjedhur në krye të këtij komisioni, presidentin e Apolonisë, Koco Kokëdhima. “Kokëdhima u zgjodh me unanimitet, me konsensus. Komisioni do punojë për të finalizuar kushtet”, shprehet sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduart Prodani. Sekretari i federatës pohon se FSHF do ta ndihmojë këtë komision.
“Natyrisht që federata do ta ndihmojë, jo më kot kjo strukturë është krijuar me ndihmën e federatës”, shtoi Prodani. Liga Profesioniste do të jetë bashkimi i klubeve të Superligës. Liga do të jetë përsëri pjesë e FSHF-së dhe është e detyruar që të zbatojë rregullat e saj. Në rast krijimi, Liga Profesioniste do të ketë autonomi dhe do të marre përsipër të drejtën e organizimit dhe çdo funksion të federatës që ka të bëjë me mbarvajtjen e aktivitetit futbollistik.
Në kompetencat e kësaj lige do të jetë përcaktimi i kalendarit sportiv të sezonit, vendosja e standardeve për klubet pjesëmarrëse në këto aktivitete si dhe ndarja e fitimeve dhe premiove për skuadrat pjesëmarrëse.
Top Channel