Top Story/ Hotelet në Shqipëri: Janë anulluar evenimentet dhe prenotimet, falimentuam

18/03/2020 01:12

Hoteleria është ndër sektorët më të prekur nga përhapja e koronavirusit në Shqipëri. Shumë hotele janë në prag falimentimi. Asnjë turist nuk ka mbërritur në Shqipëri gjatë këtyre 2 javëve të fundit, e për pasojë në hotele gjen vetëm sanitare dhe recepsionistët.

Për të kuptuar dëmin që po i shkaktohet nga coronavirusi, mjafton të marrësh për referencë Hotel Tiranën në qendër të kryeqyteti, i njohur si 15-katëshi. “Jemi në okupancë pothuajse zero, 1 %. Janë më pak se 10 veta në hotel, të gjithë janë larguar, por edhe këta 10 presin biletat për tu lurgauar”, Tregon Erjona Zenullari, Kordinatore e Eventeve, Hotel Tirana.
Shifrat e eventeve të anulluara dhe dhomave të hotelit janë shumë të larta. Bën fjalë për një dëm prej miliona eurosh, edhe ky vetëm në një hotel të Tiranës.

Kordinatorja e eventeve në Hotel Tirana, shpjegon se anulimi në masë e prenotimeve, vjen si pasojë e llojit të turistëve që vizitojnë kryesisht Shqipërinë.

“Shumica e grupeve përbëhen nga persona në moshë madhore që janë më të prekurit nga virusi. Dhe vijnë nga shtete mjaft të infektuara. Klientëte nga Kina, Japonia, kudo nga Azia dhe nga të gjitha vendet europiane. Kemi qenë të detyruar ti anulojmë. Kemi bërë anulimin pa penalitet, të gjitha kaparet janë kthyer”, Tregon Erjona Zenullari, Kordinatore e Eventeve, Hotel Tirana.

Hotel Tirana ka shkurtuar edhe stafin në mënyrë drastike, ku nga 150 punonjës, janë mbajtur vetëm 10 prej tyre. Të tjerët janë dërguar në shtëpi.
Kjo është situatë e rëndë sociale dhe financiare, për një hotel në mes të kryeqytetit. Nëse i referohemi hoteleve periferike apo atyre në qytete të tjera, praktikisht janë të falimentuar, dhe rimëkëmbja do tu duhet me muaj të tërë.

Top Channel