“Kam qëndruar padrejtësisht në paraburgim”/ U lirua nga burgu, reagon ish-ministri Ilir Beqaj: Sot jam i lumtur që ndodhem pranë familjes sime

01/08/2026 09:35

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka reaguar pasi u lirua nga burgu, teksa do të vijojë masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Në një deklaratë publike të shpërndarë nga avokati i tij, Ermal Yzeiraj, Beqaj ka kundërshtuar akuzat ndaj tij dhe ka theksuar se gjykata vendosi që qëndrimi i tij në paraburgim nuk mbështetej më në dispozitat e procedurës penale.

Postimi i Yzeirajt:

Në cilësinë e avokatit të Z. Ilir Beqaj dhe me porosi të tij, më poshtë deklarata e tij publike:

Fundi i një paraburgimi të pajustifikuar!

Dje pati shumë lajme se gjykata më kishte liruar nga burgu.

Në të vërtetë, deri më sot, nuk kam qenë asnjë ditë i burgosur. I burgosur është një person i dënuar me një vendim gjykate të formës së prerë.

Unë kam qenë për 25 muaj në paraburgim, në kuadër të një hetimi të SPAK-ut. Prej 16 muajsh jam edhe i pandehur nga SPAK-u, por, deri më sot, nuk kam marrë asnjë dënim, qoftë edhe në shkallën e parë.

Gjykata vendosi dje se qëndrimi im në paraburgim nuk mbështetej më në dispozitat e procedurës penale. Afatet ligjore të paraburgimit kishin përfunduar, çka e bënte të pavlefshëm vendimin për paraburgim të datës 03.07.2024. Ky fakt u pranua edhe nga përfaqësuesi i organit të akuzës.

Vendimi i djeshëm u parapri nga një vendim i gjyqtarit të seancës paraprake, i dhënë pak ditë më parë. Në atë vendim u arsyetua se argumentet dhe provat e paraqitura nga organi i akuzës ishin të pamjaftueshme për të vijuar gjykimin.

Në fakt, kam qëndruar padrejtësisht në paraburgim gjatë 15 muajve të fundit. Akuzohem si funksionar i lartë, në kundërshtim me Kushtetutën, me Kodin e Procedurës Penale, me tri vendime gjyqësore të dhëna drejtpërdrejt për rastin tim, si dhe me jurisprudencën e GJKKO-së.

Kam shërbyer për tre vjet e gjysmë si ministër i Shëndetësisë dhe për dy vjet si drejtor i Përgjithshëm i SASPAC-ut.

Aktualisht kam njëkohësisht tri procedime penale në SPAK, me hetime që, të marra së bashku, zgjasin prej 16 vjetësh: 6,5 + 6,5 + 3. Megjithatë, ende nuk kam asnjë dënim, as në shkallën e parë. Gjatë gjithë këtyre hetimeve nuk është gjetur as edhe një qindarkë apo një cent që të tregojë se pasuria ime është shtuar në mënyrë të paligjshme, si pasojë e veprimeve ose mosveprimeve të lidhura me detyrat e mia shtetërore.

Sot jam i lumtur që ndodhem pranë familjes sime. Jam gjithashtu i kënaqur që, duke filluar nga shtatori, do të marr pjesë në proceset penale jo më nga kafazi i sigurisë dhe do të kem akses në versionin elektronik të fashikujve hetimorë. Këto të drejta, të garantuara nga Konventa Evropiane, Kushtetuta dhe legjislacioni procedural penal, më janë mohuar në mënyrë të paligjshme nga gjykatat, organi i akuzës dhe administrata e burgjeve.

Ftoj këdo që ka mundësi ta vazhdojë betejën për këto kauza, sepse ato i shërbejnë procesit të rregullt ligjor dhe barazisë së armëve.

Mora vesh se dje më kishte dërguar selam edhe doktor Berisha.

Nuk do t’i përgjigjem këtu, sepse në vjeshtë do t’i jap mundësinë të thotë edhe më shumë, kur të vijë si dëshmitar në procesin për koncesionin e instrumenteve kirurgjikale.

Pushime të mbara!

Rishihemi në shtator.

Top Channel