Rusia godet Kievin me raketa balistike/ Të paktën nëntë të vrarë dhe 23 të plagosur, mes tyre edhe fëmijë

01/08/2026 07:43

Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën dhe 23 të tjerë janë plagosur pas një sulmi me raketa balistike ruse ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev, gjatë orëve të para të së shtunës.

Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, sulmi shkaktoi shpërthime të shumta në qytet, zjarre në disa zona dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, bëri të ditur se një ndërtesë banimi në distriktin Shevchenkivskyi u dëmtua pjesërisht, duke lënë disa persona të bllokuar nën rrënoja, shkruan BBC.

Autoritetet ukrainase raportuan se shtatë persona u vranë në distriktin Darnytskyi, ku u plagosën edhe 14 të tjerë, mes tyre dy fëmijë. Ndërkohë, në distriktin Solomyanskyi humbën jetën edhe dy persona të tjerë, ndërsa tetë u plagosën, përfshirë dy fëmijë, pas dëmtimit të një pallati pesëkatësh.

Sulmi vjen vetëm dy ditë pasi një raketë lundruese, që dyshohet se ishte ruse, ra në territorin e Polonisë gjatë një sulmi të gjerë ndaj Ukrainës, ku mbetën të vrarë të paktën tetë persona.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vijon të kërkojë forcimin e mbrojtjes ajrore të vendit. Gjatë vizitës së tij në Uashington, ai i kërkoi presidentit amerikan Donald Trump leje që Ukraina të prodhojë raketat interceptuese Patriot, të cilat konsiderohen si sistemi më efektiv për rrëzimin e raketave balistike.

Trump deklaroi se bisedimet janë ende në zhvillim dhe se SHBA duhet të tregojë kujdes për ndarjen e teknologjisë së avancuar ushtarake, duke e cilësuar një vendim të tillë si “një hap të madh”.

Top Channel