Dështon tenderi për TEC e Vlorës/ Do jepej me koncesion për t’u vënë në punë me gaz të lëngshëm

17/02/2020 16:40

Pas një viti zvarritje, tenderi 59 milionë euro për të dhënë me koncesion termocentralin e vlorës ka dështuar zyrtarisht.

Ministria e Infrastrukturës njoftoi anulimin e tenderit, për shkak se sipas saj asnjë nga ofertat e paraqitura nuk kanë plotësuar kriteret e përcaktuara.

Termocentrali I Vlorës është një nga dështimet më të kushtueshme për qytetarët shqiptar. Kjo vepër përfundoi në vitin 2011, por edhe pse ka kushtuar 103 milionë euro deri më tani nuk ka prodhuar asnjë kilovat orë energji për dy arsye.
Termocentrali është planifikuar të prodhojë me naftë, çka e nxjerr koston e energjisë shumë të lartë. Paralelisht vepra është ndërtuat me defekt në sistemin ftohës.

Pas shtatë viteve pritje, në 31 dhjetor 2018 ministria e energjisë hapi garën për ta dhënë me koncesion termocentralin për 20 vjet. Sipas planit, privati duhet të riparonte sistemin ftohës dhe ta kthente prodhimin e energjisë me gaz duke shfrytëzuar gazsjellësin Tap.

Pas rrotacionit në ministri, me largimin e Damian Gjinkurit dhe ardhjen e Belinda Ballukut, tenderi u shty dy herë, fillimisht në shkurt dhe më pas në mars të 2019-ës.

Që nga ajo kohë, ministria nuk ka bërë më publike asnjë informacion për këtë projekt deri këtë të hënë, kur njoftoi zyrtarisht dështimin. Tashmë mbetet për tu parë, se çfarë do të bëjë qeveria me termocentralin pas zvarritjes një vjecare që u mbyll me dështim.

A do të rihapë sërish tenderin me të njëjtat kushte, apo do të ndryshojë planet duke përfshirë dhe opsionin që termocentrali të punojë me gaz të lëngët.

Top Channel