Nisi si një marshim i qetë, por përfundoi me katër viktima. Nëntë vite më parë, Garda e Republikës së Shqipërisë u tregua e dhunshme ndaj protestuesve, ku la të vdekur katër persona.

Gjithçka nisi rreth orës 14:00 , kur protestuesit përshkuan rrugën në këmbë nga sheshi “Skënderbej” deri para objektit të Kryeministrisë, pasi policia kishte ndërmarrë masat që të mos lejonte asnjë autobus të vazhdonte më tej.

E gjitha u nis pas skandalit me videon Meta – Prifti, ku flitej për koncesion dhe kjo shtyri që të organizohej një protestë kundër këtij korrupsioni, siç e quante atëherë Partia Socialiste.

Turma nisi me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, ndërkohë që vetëm pak minuta më vonë, filloi hedhja e gurëve dhe sendeve të forta në drejtim të forcave të rendit. Situata u tensionua pasi protestuesit tentuan të hyjnë në oborrin e kryeministrisë, ndërsa policia mbronte ambientin e brendshëm.

Për një moment nisën të dëgjoheshin të shtëna armësh brenda territorit të kryeministrisë, dhe këto të shtëna lanë të vdekur Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn.

Ky i fundit, pas mjekimit paraprak në Spitalin Ushtarak të Tiranës, u dërgua për kurim të mëtejshëm në Turqi, ku dhe vdiq pas disa ditësh.

Kryeministri Berisha doli në konferencë për shtyp, duke deklaruar se donin t’i bënin puç, ndërkohë që opozita u shpreh se shteti, nëpërmjet segmenteve të Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit, ka vrarë katër qytetarë të pafajshëm shqiptarë dhe ka mbytur në gjak një demonstrim paqësor, që është e drejtë kushtetuese e qytetarit.

Partia Socialiste akuzoi si urdhërues të vrasjeve kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm. Por, Berisha nuk u ndal vetëm me akuzat për PS-në, ai sulmoi ashpër Prokurorinë, SHISH-in dhe Presidentin e Republikës, të cilët, sipas tij, donin ta rrëzonin me dhunë. Pas seancave maratonë, dy personat e dyshuar, ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe përgjegjësi i njësisë speciale, Agim Llupo u shpallën të pafajshëm.

Top Channel