Francë/ Vendim gjykate për rosat, pas gjelit i jepet të drejtë të bëjnë kuak-kuak

20/11/2019 14:03

Rosat në një fermë të vogël franceze mund të vazhdojnë të bëjnë kuak kuak, madje sa të duan pasi një gjykatë franceze, vendosi të martën në favor të tyre duke refuzuar padinë e ngritur nga një fqinj, që ankohej se zhurma e zogjve po e u shkatërronte jetën.

Gjykata në qytezën Dax, vendosi se zhurma që vinte nga tufa prej rreth 60 rosash dhe patash, që rriteshin nga një fermer në pension, në buzë të një kodrine në Pirenej, në Francën jug perëndimore, ishte brenda limiteve të pranueshme.

“Rosat fituan”, tha pronari për agjencinë e lajmeve Reuters pas vendimit të gjykatës. “Unë jam shumë i gëzuar sepse nuk doja që të detyrohesha ti çoja ato tek kasapi”.

Padia u paraqit në gjykatë nga një fqinj i fermerit që ishte zhvendosur nga qyteti në fshat rreth një vit më parë, në një pronë rreth 50 metra larg nga vendi ku mbahen rosat. Ai kish kërkuar marrjen e masave për reduktimin e zhurmës dhe 3500 euro dëmshpërblim.

Mosmarrëveshja është më e fundit në një seri çështjesh gjyqësore që kanë patur në shënjestër jetën tradicionale në Francën rurale përballë vlerave moderne. Në një tjetër vendim në shtator, një gjel deti i quajtur Moris, u lejua të vazhdonte të këndonte në agim, pavarësisht ankesës së fqinjëve që po ashtu kishin ardhur në fshat nga qyteti.

Top Channel