Blloku ishte një territor mitik në qendër të Tiranës. I mbështjellë së jashtmi me mister. I ruajtur nga të gjitha anët me roje, ushtarë me automatik në krah, ku hynin e dilnin mercedes të zinj.

“Koha e ndërtimit, është periudha e Italisë, periudha e pushtimit mbas ’39, kohë në të cilën u bënë dhe planet e mira rregulluese nga arkitektët italian, ishin vilat e nëpunësve, qytetarëve italian, ishin të tregtarëve, pra të njerëzve me një status ekonomik të mirë. Në momentin që u ndërtuan dhe përfaqësonin këtë status, këto personalitete morën këto status për të pasur një shkallë drejtuese”, tha arkitektja Loreta Çapeli

Aty jetonin udhëheqësit më të lartë të diktaturës së bashku me familjet e tyre. Blloku nuk ishte thjesht territor. Ai ishte mendësi, simbol i autoritetit shtetëror.

“Blloku nënkuptonte një grusht të bashkuar, simbolizonte unitetin udhëheqës me popullin. Një interpretim tjetër, Blloku, Postëbllok do të thotë që të ndalon të dalësh jashtë, të ndalon dhe të hysh brenda”, tregon Prof. Dr Isuf Kalo, autor i Librit “Blloku”.

Blloku ishte territor i super mbrojtur, por i zymtë pa zhurma jetësore. Aty banorët kishin favore, por jo hare. Mbi çdo çati rëndonte si mjegull një re e zezë, ndjenja e frikës dhe e pasigurisë së përhershme. Secila vilë ruante në kujtesën e mureve të saj ankthin dhe gjurmët e tragjedisë së banorëve paraardhës, të rënë njëri pas tjetrit viktima fatkeqe prej damkës “deviator ose tradhtar”.

Ishte një mendësi Blloku, nuk ishte një territor, e cila përfaqësonte një dëshirë për të demonstruar super realitetin apo avantazhet e një elite udhëheqësish”, tregon Prof. Dr Isuf Kalo, autor i Librit “Blloku”.

Familjet më të vjetra e më të fuqishme në Bllok u vunë në një lloj gare të pashpallur për veshje, banesa e mobilim dhe stil modernist që shfaqte aristokracinë e re. Të gjitha të paguara e financuara nga shtetit.

Ndërkohë që populli i thjeshtë rrinte në radhë të stërzgjatura për ushqim.
“Bënin jetë borxheze, i kishin kushtet, natyrisht jo të vetat por të shteti, se kur ra shteti ikën ato me valixhe, por bënin jetë borxheze”, tha Spartak Ngjela, avokat, kundërshtar i regjimit.

“Kur ishin të sëmurë bllokmenët ose gratë e tyre, ose fëmijët e tyre, nëse nuk kishin shërim këtu në spitalet tona, me teknikën që kishim në atë kohë, dërgoheshin jashtë. Kur dërgoheshin jashtë edhe vinin, ato sillinin disa plaçka por jo më shumë se 30 mijë lekë vlera e tyre. Kjo ishte privilegji i tyre, por disa nga fëmijët e këtyre bllokmenëve e prishën këtë rregull e bastarduan na nxorën bojën. Sepse blinin bluxhinsa, ose këpucë e ua shisnin shokëve në Universitet. Ata filluan ti ekspozonin”, tregon Muho Asllani, Ish – anëtar i Byros Politike.

Blloku së jashtmi ngjallte zili.

“Është njëlloj si pallati i Mbretit. Disa e urrejnë dhe disa e adhurojnë. Kështu ka qenë”, thotë Spartak Ngjela, avokat.

Ai kishte aureolën e një oazi luksoz, me vila të formave e modeleve të ndryshme, me ballkone, veranda, oborre me lule, kopshte me pemë e me gjelbërim.

“Ishte një enigmë, Blloku madje duhet të ketë patur si synim të mbetej enigmë për qytetarët. Askush nuk dinte çfarë bëhej në Bllok, si ishte jetesa , çfarë bënin, si vepronin familjet e bllokut njëra me tjetrën”, tregon Prof. Dr Fatos Tarifa, ish – diplomat.

Vilat, mobiliet dhe pajisjet brenda tyre ishin pronë shtetërore. Udhëheqësit që banonin në to paguanin qira mujore në shuma të reduktuara. Ata paguanin faturat e ujit dhe të energjisë elektrike. Por nuk paguanin faturat e ngrohjes, të mirëmbajtjes dhe të meremetimeve ose rikonstruksioneve të banesave.

“Në Bllok ne paguanim 2000 lekë qiranë për shtëpinë”, tregon Muho Asllani, Ish anëtar i Byros Politike.

Top Channel