Ishin pjesë e një grupi kriminal që shiste armë zjarri, arrestohen 4 persona në kryeqytet, shpallen në kërkim dy të tjerë

10/06/2026 08:51

4 persona u arrestuan dhe 2 të tjerë u shpallën në kërkim pasi ishin pjesë të një grupi kriminal që shiste armë zjarri, lëndë plasëse dhe municione.

Blutë bëjnë me dije se gjatë operacionin të koduar “Rjeti” u sekuestruan 7 armë zjarri dhe municion.

Gjatë gjithë harkut kohor në të cilin u shtri operacioni, policia ka vënë në pranga 9 persona, gjithashtu janë sekuestruar 17 armë zjarri, 4 kallëpë lëndë plasëse, sasi e madhe municioni, 4 automjete dhe 13 celularë.

Gjatë operacionit të ditës së sotme në pranga kanë rënë Marsel Varka, Elsaed Maqinaj, Fabian Zako dhe Kristaq Biba, në kërkim janë shpallur Kevin Vila dhe Bledar Avdillari. Ndërkohë më parë në kuadër të të njejti operacion jan^ arrestuar edhe Donati Jaku, Florian Gjeta, Urim Meta, Ligor Mehmet dhe Klodian Mustafa.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Rrjeti”, për goditjen e një grupi kriminal që shiste armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion, në Tiranë.

Operacioni i finalizuar nga Komisariati Nr. 4, si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Vihen në pranga 4 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.

Sekuestrohen 7 armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

✅Gjatë të gjithë periudhës hetimore dhe aksioneve policore, me objektiv goditjen e veprimtarisë kriminale të këtij grupi, në total, janë vënë në pranga 9 shtetas, si dhe janë sekuestruar 17 armë zjarri, 4 kallëpë lëndë plasëse, sasi e madhe municioni, 4 automjete dhe 13 celularë.

Në vijim këtij hetimi, si dhe në kuadër të operacionit “Rrjeti”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 ekzekutuan urdhrat e Prokurorisë së Tiranës, për ndalimin e shtetasve M. V., 35 vjeç, E. M., 25 vjeç, F. Z., 29 vjeç dhe K. B., 32 vjeç.

Më tej, u shpallën në kërkim shtetasit K. V., 21 vjeç dhe B. A., 28 vjeç.

Nga hetimet dyshohet se 6 shtetasit e identifikuar gjatë operacionit “Rrjeti”, së bashku me shtetasit e arrestuar më parë, D. J., F. Gj., U. M., L. M. dhe K. M., të organizuar si grup, kanë siguruar dhe kanë shitur në zona të ndryshme të kryeqytetit, armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion luftarak.

6 shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 7 armë zjarri (4 pistoleta dhe 3 automatikë), municion luftarak dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit, i cili vijon për të identifikuar shtetas të tjerë të përfshirë në grup, si dhe për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të grupit.

Gjithashtu, vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel