Historia e portierit që s’u arratis/ Sulejman Maliqati flet për karrierën dhe futbollin sot

13/11/2019 12:27

Sulejman Maliqati është cilësuar si “macja e zezë” e portës shqiptare. Ndonëse i ka kaluar 91 vite jetë dhe shumë ujëra kanë rrjedhur që nga koha kur ishte pjesë e ekipit kombëtar dhe Partizanit, Sul Maliqati mbetet një nga portierët më të mëdhenj të të gjitha kohërave në futbollin shqiptar.
Mosha nuk e pengon aspak të jetë aktiv e të gëzojë çdo moment vëmendjen e të afërmve dhe dashamirësve të futbollit. Është ndjerë i vlerësuar nga të dyja regjimet, para dhe pas ’90-s, pasi profesionalizmi i tij është i padiskutueshëm.

Teksa kthehet në kohë kujton turneun dramatik të vitit 1950, ku për shkak të arratisjes së dy futbollistëve kombëtarja jonë pësoi 3 humbje të mëdha.

“Më kanë dashur shumë. Edhe atëherë, edhe tani. Në fillim kam luajtur 5 vjet në Kavajë. Që nga viti 1949 kam luajtur me kombëtaren. Kam qenë së bashku me shokun tim Qemal Vogli. Për herë të parë luajtëm në Hungari. Isha 19 vjeç. Në kombëtaren hungareze luanin emra të mëdhenj, si Pushkash, Hidegkuti etj.

Ne patëm ca fatkeqësi. Disa lojtarë i lamë këtu. Buthe Vathi e Bahri Kavaja u arratisën, u hodhën nga anija në Dardanele. Kur shkuam ishim portierë Qemal Vogli dhe unë, po skuadrës i mungonin lojtarë të mirë dhe ishte si të mos luaje fare. Përballë ishte Hungaria që kishte rrahur thellë Anglinë dhe Italinë. Në pjesën e parë ishte Qemali dhe pësoi 8 gola. Në pjesën e dytë hyra unë. Në Çeki humbëm 3-0 dhe në Rumani u rrahëm 6-0. Nuk pati
shumë rezultat se u shpërbë ekipi., thotë ai.

Karriera e tij nisi në vitin 1949 për të vijuar në dy dekada si karrierë e një portieri idhull, që mund të luante në ligat më të forta të Europës. Po ishin kohë të tjera dhe merkatot e futbollit në kampin lindor as nuk mendoheshin, ndërsa ai vetë shprehet se as nuk e kishte kaluar nëpër mend arratisjen.

“Kam qenë i varfër te familja ime, 11 fëmijë, dhe mua më dhanë sytë, shpirtin. Më bënë portier dhe u bëra mësues. Nuk kisha pse të arratisesha. Është ajo fjala popullore që thotë: Guri i rëndë në vend të vet”, shprehet ai më tej.
Maliqati shkëlqeu në 16 sezone me Partizanin, duke u bërë një ndër pikat më të forta të skuadrës që kishte në gjirin e saj dhe futbollistë të tjerë kalibri si Papadhopulli, Pano, Resmja, Ndini, etj. Me të kuqtë u shpall 8 herë kampion i Shqipërisë nga viti 1949 deri në 1964, ndërsa shijoi dhe fitoren e 5 kupave të Shqipërisë, si dhe pjesëmarrjen në ndeshjet e kombëtares shqiptare jashtë vendit. Po ç’mendon Sul Maliqati për futbollin e sotëm?

“ Sot, në futboll është fut leku dhe ka shkatërruar gjithçka. Blej, shit…sikur po blen bostan. Zakonisht shoh portierët kur ndjek ndeshjet, po këto nuk dinë me komandu. Portieri duhet të drejtojë mbrojtësit e vet. Këta janë me normë mbrapa. Ne kemi luajtur sistemin VV dhe çdo 5 minuta kishte goditje në portë. Unë prisja 3 mijë topa në ditë, këta nuk presin as 3. Luaja pingpong dhe është shumë i mirë. Ne luanim me sistemin 5 sulmues e 5 mbrojtësa, sot luhet kryesisht 2 në sulm e 9 mbrapa”, thotë ai.

Është i bindur se Shqipëria ka pasur një futboll shumë të mirë para ’90-ës, ateherë kur stadiumet mbusheshin plot dhe tifozët udhëtonin për të parë skuadrat e zemrës.

“Portier i mirë është ai që nuk ha gola, që komandon mbrojtësit dhe luan për ekipin kombëtar. Këta nuk po i merr ndonjë në kombëtare. Kështu si luhet sot, kanë qenë skuadrat e kategorive të dyta. Ç’futboll është ky?! Shiko sa njerëz e ndjekin futbollin në Vlorë, Shijak, Durrës. Kur luante Partizani e Dinamo vinim prej Shkodre me biçikleta. Vinin prej Korçe e Berati 3 ditë përpara dhe rrinin në Tiranë. Tani nuk shkon njeri. Stadiumet janë bosh.”, vazhdon ai.

Legjenda e gjallë e portës shqiptare, nga ambjentet e teatrit të Durrësit ku u shfaq një dokumentar për jetën e tij, ka dhe një mesazh për të rinjtë që duan të lenë emër në futboll.
“E para ta duash futbollin. Të rinjtë duhet të kenë disiplinë, vullnet të fortë, regjim dhe ta duan. Pa dashuri nuk ka asgjë.”, përfundon ai.

Top Channel