VIDEO/ Vendi i rrethuar nga policia dhe njerëz të trembur në rrugë, dalin pamjet nga vrasja mafioze e Roan Brahimit në Athinë

10/05/2024 11:19

Roan Brahimi është vrarë dje në një atentat mafioz që iu bë në sy të gruas dhe djalit.

Në këto pamje shihet vendi i rrethuar nga policia, dhe njerëzit e alarmuar, pak çaste pasi kishte ndodhur vrasja.

Referuar mediave greke, ai është ekzekutuar me dy plumba, njëri prej të cilëve e ka kapur në kokë.

Ai ndodhej në mjetin e tij kur dy persona me një motor i janë afruar dhe e kanë qëlluar. Në momentin e ngjarjes, pranë tij ndodhej partnerja dhe djali i tyre i mitur.

Brahimi kishte mbërritur në nga Emiratet e Bashkuara në Greqi për Pashkë, për të kaluar festat me familjen e tij që jetonte në shtetit helen.

Deri më tani pistat e hetimit janë fokusuar në hakmarrje, pasi 32-vjeçari njihej edhe me emrin Sidorel Prendi dhe emri i tij rezulton i përfshirë në dy dosje të bujshme, vrasjen e Brilant Martinajt dhe atentatin ndaj Ylli Ibraimajt.

Në vitin 2021 ai u shpall në kërkim nga policia shqiptare, pasi së bashku me dy persona të tjerë shkaktuan terror në një lokal në Zejmen të Lezhës.

Bashkë me Ramazan Rrajën dhe Alesio Dobrozi, ata u futën të armatosur me kallashnikov duke kërkuar pronarin, ngjarje e ndodhur në vitin 2021.

Mbrëmjen e 13 nëntorit të vitit 2021 ata kërcënuan dhe kryen kontrolle ndaj klientëve, për kartat e tyre të identitetit. Po ashtu, Roan Brahimi rezulton i arrestuar edhe në vitin 2018 në Lezhë, ku iu sekuestruan municione, euro dhe bizhuteri të dyshuara nga veprimtaria kriminale e vjedhjes.

Policia greke ka kërkuar sekuestrimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë në zonë, në mënyrë që të shohin nëse janë kapur fytyrat e autorëve.

Nga mënyra e ekzekutimit dhe veprimit, dyshohet nga policia greke se autorët mund të kenë qenë vrarës me pagesë.

Top Channel