Brazil, në përgatitjet e fundit të Copa America 2019

13/06/2019 19:36

Pasi priti Botërorin e 2014 dhe Lojërat Olimpike të 2016, Brazili po përgatitet për një tjetër eveniment të rëndësishëm sportiv, Copa America ku të gjitha skuadrat e Amerikës së Jugut përballen mes tyre për trofeun kontinental. Tashmë këto përgatitje janë në fazën e fundit të tyre dhe rrugët në qytetet braziliane tashmë janë pushtuar kryesisht nga ngjyra e verdhë e uniformës së skuadrës 5 herë kampione të Botës, Brazilit

Padyshim skuadra për t’u mundur është Kili si skuadra kampione në fuqi e kontinentit, por ‘Seleçao’ luan në shtëpinë e tij ku do të kërkojë që të fitojë këtë turne që i mungon që nga viti 2007 dhe të gjithë presin që gjithçka të jetë e organizuar në mënyrë perfekte.

“Brazili ka organizuar Lojërat Olimpike, Kupën e Konfederatave dhe Botërorin. Kjo ka bërë që bota të hedhë sytë nga ky vend dhe skuadra përfaqësuese ka në përbërje futbollistë të mëdhenj”, tha Raul Lavalo gazetar bolivian .

“Jam e emocionuar. mendoj se Brazili ka shumë shanse për të fituar Kupën e Amerikës. Ne pamë në Botëror që Argjentina nuk është shumë e organizuar, dhe ka disa skuadra që janë rivale të forta si Uruguaji dhe Kolumbia, por unë mendoj se Brazili ka shans të madh për të fituar. jam shumë e emocionuar”, Mariana Piler, tour guide.

Copa America e këtij viti do të nisë ditën e premte dhe sfida e hapjes do të jetë ajo mes Brazilit dhe Bolivisë që do të luhet në Sao Paulo.

Top Channel