Çdo fillim sezoni studentët e pikturës provojnë veten. Më të mirët e tyre do të ekspozohen dhe do të jenë autorët e kësaj ekspozite këtu në Galerinë FAB, që varjon në teknika të ndryshme, që nga hiperealizmi e deri tek abstraksioni. Një ndër ta është Mirjana Madhi me pikturën Driada.

“Përkon me një fenomen që ndodh me ditët e sotme me krimin mjedisor. Driada është një figurë që ndodhet brenda shpirtit të pemës dhe në rastin që një bimë shkatërrohet ajo gjendet e vdekur brenda shpirtit të pemës”, tha Mirjana Madhi.

“Sigurisht kemi patur dhe preokupimin që të jetë një përfaqësi sa më e gjerë e tyre, por në përgjithësi janë punët më tëmira, dhe kjo I bën ata të gjykojnë edhe mbi punët që nuk janë ekspozuar, për arsyet pse nuk arritën të ekspozohen”, tha Edmond Gjikopulli, Shef i Departamentit të pikturës.

Studentët në radhë të parë, pavarësisht informacionit që marrin janë të lirë për të shprehur gjithmonë, edhe në një sfond kulturor idetë e tyre.

“Fillojnë nga viti në vit të konturohen si identitet artistik, duke pasur një optimizëm përsa i përket të ardhmes së tyre si artistë të cilët nesër pasnesër do të operojnë në fushën e artit dhe kulturës dhe të thellimit të identitetit të vlerave kulturore shqiptare”, shprehet Ardian Isufi, Dekan I Fakultetit të Arteve të Bukura.

Ky është edhe një konkretizim i punës së tyre të dy viteve, një hap para provimeve të radhës. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 7 qershor.

Top Channel