Atalanta do të jetë skuadra që bashkë me Lazion do të përballen në finalen e Kupës së Italisë, e planifikuar për mbrëmjen e 15 Majit, në Romë.

Bergamaskët mposhtën Fiorentinën me rezultatin 2-1 mbrëmjen e sotme dhe u kualifikuan me rezultatin e përgjithshëm 5-4, pasi ndeshja e parë në Firence kishte përfunduar në barazim 3-3.

Skuadra e drejtuar nga Vincenzo Montella kaloi e para në avantazh, teksa Muriel mori një pasim nga Chiesa dhe shënoi që në minutën e tretë.

Megjithatë Atalanta reagoi shpejt dhe në minutën e 14′ riktheu baraspeshën me anë të sllovenit Iliçiç, që ekzekutoi saktë një 11-metërsh.

Golin e sigurisë për Atalantën e shënoi kapiteni Gomez në minutën e 69′, me një gjuajtje nga distanca, që u grushtua keq nga portieri i Fiorentinës dhe u ndal në rrjetë.

Titullar në sfidën e sotme për Atalantën ishte edhe mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, Berat Gjimshiti, ndërsa Etrit Berisha e ndoqi sfidën nga stoli, por mund të ketë një duel në distancë në finale, me Thomas Strakoshën.

Top Channel