“Top Story”, rrëfimi i Kristianës. Humbi të ëmën në tragjedinë e Gërdecit dhe sot është e birësuar

13/03/2019 21:41

Kristiana nuk e njeh mamanë e saj, sepse e humbi kur ndodhi shpërthimi në Gërdec dhe u rrit nga Fatbardha Dani, e afërme e Kristianës.

Kristiana, së bashku me Fatbardhën, ekskluzivisht për “Top Story” rrëfejnë peripecitë, pasojat që shpërthimi në Gërdec la në familjet e tyre, dhe sesi ngjarja e ndodhur i mori jetën mamasë së Kristianës.

“Rastësisht e kanë gjetur vajzën aty edhe e kanë çuar në spital, aty e kemi parë në 7 të darkës që ishte komplet e djegur, por në ato momente ishte e vetëdijshme, fliste, tregonte për ngjarjen, pastaj i ra si vdekje klinike dhe doktorët thanë se do ta çonin jashtë. Në orën 12 u përmend edhe e çuan, shkoi kunata ime aty, shkoi në Itali për t’u kuruar, bëri dy herë operacion transplant, të tretën s’e përballoi dot dhe vdiq. Ajo vdiq më 12 prill, se rrojti një muaj atëherë”, rrëfen ngjarjen Fatbardha Dani, nënë birësuese e Kristianës.

Kristina, e cila ishte vetëm 4 muajshe kur humbi të ëmën, tregon për “Top Story” se nuk e ndien mungesën e prindërve, sepse ato nuk i njohu kurrë.

Gjyshërit e saj i dhanë fund jetës duke pirë helm, sepse nuk e duruan dot dhimbjen e humbjes së jetës së të ëmës së Kristianës. Ajo është një nxënëse shumë e mirë dhe ëndërron të bëhet mësuese.

Ndërkohë që, Fatbardha i bën një kërkesë shtetit që të ketë vëmendje kundrejt Kristianës, sepse vëmendja e tyre ka munguar për kaq vite radhazi.

Top Channel