Inside Story/ Tragjedia në familje, pas humbjes së vajzës babai ndërroi jetë në pritje të drejtësisë që zvarritej

Inside Story/ Tragjedia në familje, pas humbjes së vajzës babai ndërroi jetë në pritje të drejtësisë që zvarritej

Humbja e Jaseminës ishte shumë e rëndë për të dy prindërit të cilët kishin bërë gjithçka për të, që kur lindi duke luftuar çdo ditë.

Dhimbjes së madhe iu shtua beteja për të bërë drejtësi, për të gjithë mjekët që nuk iu përgjigjën thirrjes së nënës për ndihmë, duke filluar me mjeken e familjes, me urgjencën e QSUT e deri tek Spitali francez. Atje ku mjekja nuk mundi ta vizitonte sepse e reja dha shpirt.

‘Bëra denoncim te opgj, opgj me dërgoi në prokurori. Vajza bëri 4 vjet, të paktën ta di ku është çështja, dua drejtësinë e vajzës, letrat institucioneve…’ u shpreh Luli Luarasi, nëna e Jaseminës.

Tashmë të gjitha dokumentet u mbyllën në një dosje dhe u dorëzuan në prokurori ku u bë kallzim për mjekim të gabuar. Megjithatë deri më tani Luli nuk ka zhvilluar asnjë seancë gjyqësore. Çështja është zvarritur dhe nga dëshpërimi, vetëm pak muaj më parë humbi jetën edhe babai i Jaseminës. Një humbje e dyfishtë për Lulin, që mendon se vdekja e bashkëshortit, ka ardhur nga pasojat që i solli padrejtësia për vajzën.

‘Jam me unazë në zemër me ilaçe depresioni, nga meraku i vajzës bashkëshorti me vdiq, jam e vetme. Jam betuar të varri i vajzë, ia kam dhënë besën, kam preë damarët kam jetuar për vajzën 21 vjet’, u shpreh Luli Luarasi, nëna e Jaseminës.

Luli, nëna e 21 vjeçares jeton vetëm për të bërë drejtësi. Ndonëse gjendja e saj shëndetësore është rënduar. Mes të tjerash, ajo është trajtuar edhe nga depresioni pas humbjes së vajzës dhe bashkëshortit. Ajo kërkon vetëm drejtësi për vajzën e saj, që i është kthyer në motivin e vetëm të jetës.

Dua vetëm drejtësi mos të arrij pastaj jeta ime ike, drejtësinë vajzës do tia nxjerr të mos arrij deri në vetëgjyqësi. Për çfarë presin babai ikuu, dy pleq të ik dhe unë dhe ta mbyllin. Të kisha bërë një gabim unë sot do të kisha marrë dënimin, vajza ime ka 4 vjet që ha dhe tjerët bëjnë qef, po jo more nuk ia fal jetën e vajzës’, u shpreh Luli Luarasi, nëna e Jaseminës.

I është drejtuar me shkresa institucioneve duke kërkuar të dijë përse zvarritet kjo çështje por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Sot ka vetëm një lutje për institucionet e drejtësisë.

‘I lutem shtetit të më nxjerrë drejtësinë e vajzës se nuk ia fal sikur edhe zoti të zbresë poshtë, po e vuaj përditë, përditë po e vuaj’, u shpreh Luli Luarasi, nëna e Jaseminës.

Top Channel