Shorti i Europa League evitoi përplasjet e mëdha në raundin e 1/16-ave të finaleve, duke u rezervuar pretendentëve kryesorë duele të lehta, të paktën në letër.

Arsenali, që këtë javë iu fal asisteve të Granit Xhakës dhe golit të Mustafit për të mbijetuar në kupën më të vogël të futbollit kontinental, tani do të masë forcat me francezët e Rennes, një rival i kalueshëm për londinezët që synojnë trofeun.

Interi do të luajë dy ndeshje me Eintrachtin e Frankfurtit, të parën në transfertë dhe kthimin në stadiumin “San Siro”, ndaj gjermanëve që janë një rival i fortë, por jo më i forti që mund të zbulonin vazot e shortit në Nion.

Një tjetër pretendent për Europa League, Chelsea do të luajë me Dinamon e Kievit, ndërsa Napoli ka në program një impenjim të dyfishtë me Salzburgun, të parin në shtëpi dhe më pas transfertën në Austri.

Short i favorshëm edhe për ekipet spanjolle, pasi Sevilla do të ndeshet me Slavian e Pragës, ndërsa Valencia kundër Krasnodarit. Në mungesë të surprizave të bujshme, iberikët duhet të kalojnë më tej. Ndeshjet e para të Europa League do të zhvillohen më 7 mars, ndërsa kthimi një javë më vonë.

Top Channel