Elham Elezaj zë vend në kujtesën e oficerëve më të dalluar të Policisë së Shtetit. “Elhami ishte shumë i guximshëm. Një lab trim, që nuk i bënte syri tërr”, tha Hil Lushaku, ish-komandant i RENEA-s.

Ishte 9 korriku i vitit 1998. Forcat Speciale njoftohen se një person kishte marrë peng pjesëtarët e një familjeje, mes të cilëve kishte gra e fëmijë.

“Njoftohet reparti që një person ka marrë disa fëmijë dhe gra, i ka marrë peng. Na paska qenë polic i objekteve, shkaku ka qenë se ditën e dasmës i kanë lënë motrën ata. Ka menduar t’i vras apo t’i marrë peng”, tha Sulejman Elezaj, babai i Elham Elezajt.

Elhami ishte i gatshëm në repartin RENEA, në atë që duhej të ishte dita e tij e fundit në këtë repart, sepse ishte ngritur në detyrë si shef Komisariati në Sarandë. Në detyrën e re, ai duhej të paraqitej të nesërmen.

“Njoftojnë djalin tim, që shkon pa antiplumb, me rroba sporti, sepse kishte luajtur futboll atë ditë. Madje i kishte dalë emërimi për shef Komisariati në Sarandë. I thonë ikni, hani e pini, jo jo thotë do qëndroj”, tha babai Sulejman Elezaj.

Elhami bashkohet me kolegët që kishin rrethuar godinën, në zonën e Oxhakut në Tiranë. Informacionet ishin se 7 persona mbaheshin peng nga një ish-polic, Gëzim Kërçuku.

“I zë nata e rrethohet shtëpia. Ky i kishte marrë në një shtëpi të pabanueshme, fëmijët dhe atë gruan, dhe rrethohet shtëpia me automatik. I bëjnë thirrje, nuk dorëzohej. Ai ka qëlluar, këta janë vrarë, flakë për flakë. Ai është futur pas një lavatriçeje, dritë s’kishte brenda, kështu janë vrarë flakë për flakë. Djali ka marrë dy plumba, ai 14”, tha Sulejman Elezaj, babai i Elham Elezajt.

Elhami arrin ta zgjidhë situatën e rrezikshme, por kjo i kushtoi jetën.

“Djali ka dalë i plagosur, u ka thënë më sillni ambulancë. Ka hedhur pistoletën rreth 50 metra më tej, ka rënë në gju në një pjesë me zhavor, mbaroi pa arritur në spital”, tha Sulejman Elezaj.

Sot, pas 21 vitesh, babai i tij kujton me detaje momentet kur mori lajmin e kobshëm.

“Vjen një shofer, mendova se ishte i RENEA-s. Unë e kuptova në mimikë që diçka kishte ndodhur. Më thotë është plagosur pak Elhami, po merr mjekimin në spital, unë i them djali është vrarë po ti ec. Unë s’e kuptoja se ecte, mund të ishte me 200, unë i thoja ec”, tha Sulejman Elezaj.

Në Spitalin e Traumës, Sulejmani gjen djalin pa shenja jete.

“Vete atje, erdhi një infermiere e më tha këtu është. Ishte bërë autopsia, salla plot me gjak. M’u mbushën këpucët me gjak, vajta, putha djalin dhe dola”, tha Sulejman Elezaj.

Elezaj do të mbahet mend si një prej efektivëve që ka marrë pjesë në disa prej operacioneve më të vështira të vitit 1997. Një prej tyre është aksioni që pasoi masakrën e Cërrikut, ku u vranë 6 gardistë. Po ashtu, ai do të mbahet mend si efektivi që ka arrestuar kryebanditin Zani Çaushi.

Sakrifica e tij sublime nuk mund të ketë shpagim, por të paktën, as minimumi nuk është bërë, që do të ishte prehja e trupit të tij në Varrezat e Dëshmorëve.

“Djali përderisa u bë Dëshmor i Atdheut, çojeni në varreza, mos ma rifreskoni 20 mijë herë se kjo…ta marrësh ta çosh tani prap, që këtë e kam kërkuar, pse na hapni një plagë, ajo plaga jonë nuk mbyllet. Por, çojë që atë ditë, pse e lë”, tha Sulejman Elezaj.

Top Channel