Kërkoi mbledhjen e Komisionit të Medias, Zhupa-Açkës: Heshtja e deritanishme, ligjërim i një veprimi të rëndë dhe të papranueshëm

26/04/2024 18:56

Deputetja demokrate, Ina Zhupa i është kundërpërgjigjur komentit të ministres Elisa Spiropali në lidhje me kërkesën për mbledhjen e Komisionit të Medias.

Ajo shprehet se mazhoranca është e frikësuar dhe në këtë situatë do të mohojë çdo hapësirë ligjore të deputetëve të opozitës.

Nga ana tjetër, mungesën e një përgjigjeje nga ana e kryetares së komisionit Flutura Açka, Zhupa e konsideron ligjërim të një veprimi të rëndë dhe të papranueshëm.

Ajo shprehet se ka kërkuar një mbledhje të komisionit me qëllim diskutimin e ndërhyrjes së kryeministrit Edi Rama tek drejtuesit e kanalit televiziv RAI 3, si dhe sjelljen dhe deklaratat e tij në raport me mediat dhe gazetarët shqiptarë.

Zhupa: Të frikësuar dhe të zënë në hall duan të mohojnë çdo hapësirë ligjore të deputetëve të opozitës.

Spiropali që ska asnjë lidhje me komisionin e medias, tashmë përgjigjet në vend të Flutura Açkës, pasi e ka bërë rrugë që përgjigjet në vend të Lindita Nikollës. Kryeministri Rama ka lëshuar akuza dhe fyerje të forta në drejtim të kanalit televiziv italian RAI 3, drejtuesve të tij, moderatorit të emisionit “Report” dhe gazetarit që ka realizuar investigimin që flet për vëllain e tij Olsi Rama dhe për krahun e djathtë të tij Engjell Agacin.

Të njëjtën gjuhë, ai përdori edhe ndaj mediave shqiptare që transmetuan me korrektësi investigimin. Kjo gjuhë u konsiderua skandaloze dhe e papranueshme nga rrjeti ndërkombëtar Safe Journalist. Për më tepër, nëpërmjet mesazheve dhe telefonatave me drejtuesin e RAI 3, Edi Rama u përpoq të intimidonte gazetarët e këtij televizioni, duke cënuar drejtpërdrejtë lirinë e medias.

Duke pasur parasysh që mbledhjen e ardhshme e komisionit është mbledhje për vendosjen e kalendarit 3 javor të komisionit, brenda rregullores kam kërkuar një mbledhje të komisionit me qëllim diskutimin e ndërhyrjes së kryeministrit Rama tek drejtuesit e kanalit televiziv RAI 3, si dhe sjelljen dhe deklaratat e tij në raport me mediat dhe gazetarët shqiptare.

Ne nuk mund të bëjmë kurrë më pak sesa bënë kolegët tanë italian në komisionin përgjegjës për këtë ndërhyrje të papërgjegjshme të Edi Ramës ndaj lirisë së medias. Ne duhet t’i bashkohemi atyre në dënimin e këtij akti, si shenjë e qartë e mospranimit ndaj çdo ndërhyrje në lirinë e medias, që do të ishte vrastare për vetë demokracinë e brishtë shqiptare.

Heshtja e deritanishme e Komisionit të Medias është ligjërim i një veprimi të rëndë, të papranueshëm, dhe nxit përsëritjen e tij në të ardhmen.

Ndërsa zonja në fjalë duhet ta di që kanë damkosur dhe i kanë vrarë shpresën Shqipërisë pikërisht mazhoranca e saj me në krye Ramën, me lidhjet me trafikant, me përfshirjen në afera të ndryshme, me vjedhjet galopante.

Spiropali: Plani i ahengut për t’iu gëzuar sulmit mbi Shqipërinë në RAI3, pas mbështetjes së tij me municion nga rruga e humbur e Shpresës së të pashpresëve, qenka i shtrirë edhe përtej kërkesës për interpelancë urgjente me kryeministrin.

Zonja që ka qëndisur këtë çarçaf për komisionin e mediave, kërkon të na e vërë përpara në tabaka  Shqipërinë e përbaltur nga ai emision italian i gatuar në Tiranë, për të na kërkuar hesap për gënjeshtrat dhe shpifjet e palës që ajo përfaqëson.

E ndaj këtë me ju për t’ua lënë juve ta gjykoni se deri ku shkojnë këta kolegë pa dhe me vulë për të damkosur Shqipërinë që të helmojnë shqiptarët në kërkim të rrugës së humbur të saj e të kolegëve të saj që e kanë pagëzuar me emrin Shpresa. Ndërkohë mund t’u them se mund ta vazhdojnë pa ne, ushqimin e Shpresës së tyre me këtë histori të shëmtuar pabesie ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, me të cilët janë deri në fyt të mbytur me borxhe.

Top Channel