Plani i qeverisë italiane për të kontrolluar gjendjen financiare të skuadrave, klubet e “Serie A”, deklaratë të përbashkët kundër reformës

07/05/2024 07:42

Të gjitha klubet italiane që luajnë në Seria A, votuan kundër prezantimit të reformës së re që do t’i jepte mundësinë qeverisë italiane të gjurmonte gjendjen e tyre financiare përmes një agjencie të krijuar së fundmi.

Tashmë ekziston një ent që e bën këtë, COVISOC që mund të përshkruhet si një lloj shoqate autonome për mbrojtjen e konsumatorëve. Por anëtarët e shoqatës emërohen nga subjektet sportive.

Me propozimin e ministrit të Sportit, Andrea Abodi ideja është që të krijohet një komision i ri i drejtuar nga qeveria për mbikëqyrjen e financave të klubeve.

Kështu në çdo sezon veror, klubet duhet të kalojnë një sërë stres-testesh financiare përpara se të lejohen të regjistrohen për sezonin e ri, duke shmangur në këtë mënyrë rrezikun e falimentimit të tyre gjatë sezonit.

Futbolli në veçanti është shumë kundër kësaj ideje dhe Lega Serie A lëshoi një deklaratë pas një takimi urgjent.

“Megjithëse ruajtën angazhimin për të përmirësuar qëndrueshmërinë ekonomike dhe transparencën e kontrolleve në futbollin italian, klubet votuan njëzëri kundër propozimit për krijimin e një agjencie qeveritare për të vëzhguar statusin financiar të klubeve profesionale të futbollit, duke përsëritur rëndësinë e autonomisë së sportit nga politika. Të gjitha klubet përsëritën gjithashtu nevojën për të punuar drejt autonomisë së plotë të Lega Serie A brenda organizatës sportive”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Top Channel